Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës është furnizuar me 12 aparatura të reja (ultrazë), prej tyre 10 ultrazë portabël (lëvizës deri tek shtrati i pacientëve) dhe 2 statike, të cilat shërbejnë për diagnostikim klinik të avancuar në shërbim të pacientëve.
Përmes paisjes së ultrazërit me sondë transezofageale pediatrike, vlerësimi ultrasonografik i zemrës tek fëmijët do të jetë më i lehtë.
Furnizimi në vlerë rreth 300mijë euro është mundësuar nga huamarrja e Bankës Botërore, përmes Ministrisë së Shëndetësisë, në kuadër të projektit emergjent Covid-19 për Kosovë, i realizuar përmes prokurimit të UNOPS-it.
Me rastin e pranimit të këtyre pajisjeve, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se këto aparatura të sofistikuara do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve, për pacientë që do të kenë nevojë për ekzaminime ultrasonografike.
Aparaturat do të shpërndahen në klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme rajonale. /2LONLINE.com/