Gjilani së bashku me nivelin qëndror duhet të fokusohen në zgjidhje afatgjate të çështjes së ujit të pijshëm, duke siguruar rezerva tjera shtesë të ujit. Është hera e katërt që nga paslufta që Gjilani vjen në një situatë të tillë, kështu është shprehur ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin LLuka gjatë tryezës me temë “ Furnizimi afatgjatë i Gjilanit me ujë të pijshëm Shqyrtimi i Alternativave për Sigurimin e Burimeve të Ujit”, organizuar nga Komuna e Gjilanit dhe Ujësjellësit Rajonal Hidromorava.
Me këtë rast Ministri Lluka i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi, Kryetarin e Gjilanit Lutfi Haziri dhe Kryeshefi i Ujësjellësit Rajonal Hidromorava Muhamed Suliqi kanë vizituar Liqenin e Perlepnicës për të shikuar nga afër se si rezervat ujore janë zvogëluar kjo për shkak të mungesës së reshjeve.
Ministri Lluka ka pohuar se aktualisht janë duke u analizuar katër burime emergjente që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e përkoshme të problemit, duke shtuar se Gjilani së bashku me nivelin qëndror duhen të fokusohen në zgjidhje afatgjate të këtij problemi.
“ Sot është krizë ujore në Gjilan, para pak kohe kemi pasur krizë të tillë në Prishtinë. Ndërkohë, raporti i fundit i Bankës Botërore ka treguar qartë se Kosova ka vetëm 230 metër kub rezerva ujore për kokë banori, kurse vendet e rajonit me mbi 650 metër kub, kurse shtetet e zhvilluara të Evropës, rreth 1700 m3 për kokë banori”, është shprehur Ministri Lluka gjatë tryezes, duke shtuar se në bazë të këtij raporti, Qeveria e Kosovës, me ndihmën e Bankës Botërore, janë duke i trajtuar dy mundësi për investime siç janë akumuluesi në Kamenicë dhe akumuluesi në Suharekë.
Ndryshe, varësisht nga propozimet e kësaj tryeze Ministri Lluka, Ministri Matoshi së bashku me Kryetarin Haziri, janë zotuar për të përkrahur rekomandimet e ekspertëve.