(2L ONLINE) – Gjyqtari i Departamentit të Krimeve të Rënda, të Gjykatës Themelore të Gjilanit, Afrim Shala,në shqyrtimin fillestar ka shqiptuar dënimin ndaj të akuzuarit H. Q. në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) muajve burgim efektiv dhe dënim me gjobë në shumën prej 400 (katërqind) Euro, po ashtu shqiptohet edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në shërbimin si zyrtar i Kompanisë “KEDS”, në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, pas mbajtjes se dënimit me burgim.
Gjykata gjeti se i akuzuari H. Q., shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në Komunën e Vitisë, ka kryer veprën penale, marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Pasi që i njëjtisë bashku me dy kolegë të tij F. J. dhe B. B. me datë 31.01.2015 rreth orës 14:00 minuta, në cilësinë zyrtarë – punëtorë të Kompanisë “KEDS” në Viti, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror me rastin e kontrollit të lokalit – picerisë“Kastri” në Viti, kanë kërkuar nga pronari i lokalit një shumë prej 200 Euro, në atë mënyrë që mos ta gjobisin në shumë prej 1.000 Euro, me pretekst se i njëjti është duke e vjedhur energjinë elektrike dhe merren vesh që më vonë të kthehen dhe të i marrin të hollat në shumë prej 200 Euro.
I pandehuri H. Q. në momentin e marrjes së të hollave prej 200 Euro, me intervenimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kapet dhe arrestohet.
Ndërkohë ndaj dy pandehurve të tjerë F. J. dhe B. B. veçohet procedura penale, me që rast procedura do të zbatohet ndaras nga i pandehuri H. Q.
Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë. /2L ONLINE/