/2L ONLINE/ – Me parullat “Dua Abetaren time – Duam librin shqip” , “gjuha jonë nuk është bombë, tirania juaj Po”, Liri për librin shqip, /Atdheu është dielli i të gjithë diejve/Që mes meje dhe teje/Letra dashurie këmben/Ta ushqejmë këtë diell/Ta rrisim këtë dashuri/Për mua, për ty!/, pastaj pankarta me fjalë të Gjergj Fishtës e të tjera, shqiptarët në Luginë të Preshevës po protestojnë sot në Preshevë. Ata po kërkojnë që nxënësit shqiptarë të mos ballafaqohen me pengesa për librin shqip pasi siç dihet Qeveria e Serbisë i ka bllokuar librat shqip të dedikuar për nxënësit shqiptarë, që ishin donacion nga Ministria e Arsimit të Kosovës
Përndryshe, ditë më parë Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq gjatë hapjes së fakultetit ekonomik të Suboticës në Bujanoc lidhur me bllokimin e librave në terminalin e Preshevës tha se inspeksioni i autorizuar po punon në këtë drejtim.
“Në Serbi nuk mundë të shfrytëzohen librat ku thuhet se Adem Jashari është hero i popullit. Për përdorimin e librave në gjuhën shqipe do të vendosë inspeksioni arsimorë”, kishte deklaruar kryeministri serb.
Ndërkohë, që po vazhdon bllokimi i librave të cilat po mbahen në terminal të librave donacion nga Ministria e Arsimit të Kosovës, mbështetje protestës i kanë dhënë edhe studentë dhe organizime politike jashtë Luginës si në Kosovë e Maqedoni. Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës sot shprehu mbështetjen e saj të pakursyer për protestën e sotme të organizuar nga studentët dhe nxënësit ndaj bllokimit nga autoritetet serbe të teksteve shkollore shqip të dhuruara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës.
“Duke përshëndetur pjesëmarrjen masovike të qytetarëve të Preshevës në këtë protestë paqësore, u bëjmë thirrje qeverise së Serbisë që të distancohet një herë e përgjithmonë të heq dorë nga etnocidi që po ushtron në Luginë të Preshevës” , ka thënë Fatmir Arifi, kryetar i Lëvizjes për Integrim e Luginës së Preshevës.
E ditë më parë, nëpër qytetin e Tetovës, në të cilin studiojnë studentë nga të gjitha trojet shqiptare janë vërejtur posterë në mbështetje të kësaj çështjeje e po ashtu një grup nxënësish nga shkollat e Mesme gjatë vizitës që i kishin bërë panairit janë paraqitur me pankarta në duar në mbështetje të lirisë së Librit në Luginë të Preshevës. /2L ONLINE/