Për fqinjët e Shqipërisë, fjala është për Greqinë dhe Serbinë, britaniku Aubery Herbert në mes të tjerash thoshte: “ Jam i bindur se shfarosja sistematike e shqiptarëve në zona të ndryshme kufitare të Shqipërisë po edhe në brendi të Greqisë, u bë nga ata që ishin betuar se ishin miq të shqiptarëve. Kjo fatkeqësi ka ndodhur meqë bota nuk ishte e informuar drejtë se çka po ndodhte në atë kënd të Ballkanit”.
Shkruan: Sami ARIFI – 2LONLINE.com
Greqia luante me kartën e njohur, duke i quajtur grekë të gjithë shqiptarët ortodoksë. Në këtë mënyrë ajo përpiqej t’i përmbyste faktet dhe realitetin, gjë që në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, shumica e territoreve shqiptare iu dhanë pa asnjë të drejtë, Greqisë. Pretendimet për uzurpimin e tokave shqiptare nga ana e Greqisë vazhduan më vonë edhe në Paris.
Duhet theksuar se territoret e uzurpuara, ishin të banuara me shumicë shqiptare myslimane, ndërsa pakica e shqiptarëve të krishterë ortodoks ishin anëtarë të Kishës Ortodokse. Pra, shqiptarët e besimit ortodoks nuk ishin grekë as nga raca, as nga gjuha, as nga kultura.
Si shembull konkret kemi veprimet e grekëve gjatë vitit 1914 kur ata kishin pushtuar Jugun e Shqipërisë, disa muaj para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Më se 350.000 shqiptarë ortodoksë, u larguan nga frika dhe u vendosën në Vlorë. Të tjerët që mbetën aty, ushtria greke i masakroi. Kjo nuk do të ndodhte në asnjë mënyrë sikur ata vërtetë të ishin grekë.
Në të njëjtën mënyrë, çamët në Greqi iu nënshtruan në tërësi një holokausti për shpërnguljen dhe shfarosjen e tyre nga trojet stërgjyshore. Fatkeqësisht këto troje, pastaj me ndihmën e Evropës iu dhanë aleatëve besnik të Rusisë.
Shpërngulja e shqiptarëve me dhunë e masakra nga trojet e tyre autoktone
Duhet përmendur sidomos, masakrën e parë të Selanit. Nga barbarët grekë në krye me Deli Janaqin në mars të vitit 1913, u masakruan mijëra çamë. Nga ana tjetër ishte përgatitur tereni për shpërnguljen e shqiptarëve nga Çamëria në drejtim të Turqisë dhe brenda për brenda territoreve shqiptare. Pas shpërnguljes së 10.000 çamëve, më 30 janar të vitit 1923, vrasjet dhe shpërnguljet të tilla masive vazhduan pandërprerë edhe gjatë viteve 1924-1925. Dihet se brenda këtyre viteve, u shpërngulën nga vatrat autoktone shqiptare, së paku edhe 20.000 çamë tjerë.
Shqiptarë myslimanë që jetonin në Epirin e Maqedonisë në Greqi, ishin detyruar me dhunë të merrnin rrugën e Turqisë. Vetëm gjatë vitit 1923, shpërnguljet kalonin shifrën mbi 384.000. E gjithë kjo shpërngule ndodhi sipas njëfarë Traktatit të Lozanës që pa të drejtë iu dha grekëve mundësinë për realizimin e objektivave të tyre për largimin e çamëve autokton dhe zëvendësimin e tyre me grekë. Më konkretisht të largonin pjesën më të rëndësishme të popullsisë shqiptare kompakte, autoktone të Çamërisë për të krijuar “homogjenitetin e tyre etnik”.
Holokausti ndaj çamëve vazhdon sidomos nga qershori në mes viteve 1944 – 1945. Holokausti i paparë në historinë e popullit shqiptarë të Çamërisë ka ndodhur më 25 qershor të vitit 1945, i udhëhequr nga krimineli i lindur, gjenerali famëkeq, Napoleon Zerva me origjinë nga Arta. Vetëm në rrethin e Paramithit, më 27 qershor të këti viti famëkeq, Zerva me bandat e tij, ka masakruar 2.000 çamë të pambrojtur.
Në informatat që i kishte dërguar Londrës lidhur me këto zhvillime, koloneli britanik, Vuthaus si dëshmitar i ngjarjeve, veç tjerash raportonte: “Ju bëj me dije se Napolon Zerva, i nxori çamet nga shtëpitë e tyre dhe i dëboi me forcë. Ky dëbim u bë përmes një gjakderdhje të madhe. Një pjesë e çamëve që shpëtuan gjetën strehim në Shqipëri”.
Masakra tjetër më e madhe, e cila nuk mund të përshkruhet, ndodhi në Filat, në mars të motit 1945…
Edhe sot e asaj dite, Greqia po përpiqet ta fshehë holokaustin që bëri me të gjitha mënyrat në të kaluarën, kundër shqiptarëve autokton.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, faktet tregojnë se Greqia e asaj periudhe ka ushtruar të gjitha format e dhunës për shfarosjen e shqiptarëve autokton në Çamëri.