Akademik Rexhep Qosja ka thënë se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete jo të dy popujve, po të një populli – të popullit shqiptar, që një ditë pashmangshëm do të bëhet një shtet.
Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Qosja ka folur edhe për marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Ai ka thënë se marrëdhëniet e sotme Shqipëri – Kosovë vazhdojnë të jenë të thjeshta, të varfra, pa bashkëmarrëveshje (komunikim) thelbësore, pa marrëdhënie në disa fusha. “Unë nuk pranoj, nuk e them dhe nuk e shkruaj kurrë dhe askund, se Shqipëria dhe Kosova janë shtete të dy popujve vëllezër siç po e thonë dhe po e shkruajnë qe një kohë disa njerëz në politikë dhe në publicistikë. Unë mendoj, e them dhe e shkruaj, se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete jo të dy popujve, po të një populli – të popullit shqiptar, që një popull ishte dhe do të jetë gjithmonë, që një ditë pashmangshëm do të bëhet një shtet.
Po marrëdhëniet e sotme Shqipëri – Kosovë vazhdojnë të jenë marrëdhënie kryesisht të thjeshta, të varfra, pa bashkëmarrëveshje (komunikim) thelbësore, pa marrëdhënie në disa fusha, pa të cilat marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të bëhen të rëndësishme, prandaj as thelbësore, të pasura sa do të duhej të ishin. Janë edhe më tej të varfra, dëshpërueshëm të varfra marrëdhëniet në fushat e ekonomisë, të tregtisë, të arsimit, të kulturës, të shkencës. Në fushën e shkencës këto marrëdhënie janë aq të pakta sa mund të quhen të sabotuara.
Pse janë të tilla këto marrëdhënie? Sepse përcaktohen prej atij lloj atdhetarizmi që Faik Konica e quante atdhetarizëm i mëhallës. E kur atdhetarizmi lokal bëhet histori e provincializuar dhe politikë fshatare, e thotë një mendimtar anglez, atëherë rezultat i saj është komedia më e thjeshtë. Po si duhet të jenë, si duhet të pasurohen marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë sot duhet të diskutohet në mënyrë të organizuar, në ndonjë organizim shkencor, në të cilin do të jenë njerëz të politikës, të shkencës, të kulturës, të ekonomisë. E të tjerë. Si duhet të jenë këto marrëdhënie, si duhet të zhvillohen e të pasuroheshin ato, në një mënyrë pothuaj programatike ka folur para një kohe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Qosja.