Fundi i prillit dhe fillimi i majit, gjithmonë sjellin ripërtëritjen e natyrës, por edhe vet njeriu ndjen një ringjallje shpirtërore. Këto ndenja janë më të forta e në këtë rast në vendlindjet tona, përkatësisht në fshatrat e Malësisë së Bujanocit: Muhoc, Qarr, Priboc, Zarbicë, Suharrnë, Ramabuqë, Novosellë etj.
Kjo vërehet edhe tek familjet që janë duke jetuar në këto fshatra, ngase rreth shtëpive të tyre vëren gjallëri si: oxhaqe që tymojnë, gjelbërim, toka që i kanë punuar dhe që janë duke i punuar, kafshë të shumta që kullosin, thirrje e zëra të fëmijëve, cicërima zogjsh e kënga e qyqes.
Por, shikuar realisht, jeta e disa familjeve në këto fshatra nuk është aq e mirë siç është e bukur natyra në këtë pranverë, ngase këto familje përballen me mungesën e infrastrukturës, rrugore, ambulancës, shitoreve, ndihmës e përkrahjes së duhur nga të gjithë ne: edhe të bashkatdhetarëve edhe organeve gjegjës shtetërore.
Posaçërisht janë keq me mirëmbajtjen e rrugëve në këto fshatra. P.sh. në lagjen më të largët të fshatit Suharrën, te Tahirajt, rruga është mjaft e dëmtuar dhe shpesh bëhet e pakalueshme. Megjithatë ato pak familje që janë duke jetuar atje: e Bajram Bajramit, Bekim Ramadanit, Reshat Tahirit e Xhemail Tahirit e mirëmbajnë rrugën, për aq sa munden vet, duke e rregulluar sa herë që ajo bëhet e pa kalueshme.
Kësaj lagje tani më i është kthyer edhe familja e Bekim Ramadanit dhe me forcat e veta ka rifilluar jetën në fshat. Arat që deri dje ishin djerrinë tani i ka punuar duke mbjell një sasi të konsiderueshme të patateve. Po ashtu ka mbëltuar mbi 300 fidane të llojeve të ndryshme të pemëve. Dhe të gjitha këto, siç na tregon Bekimi janë investim i tij, pra pa i ndihmuar askush.
Bekimi, shkollës së fshatit që është duke funksionuar, ia ka shtuar edhe një nxënëse, pasi vajza e tij e cila është në klasën e tretë dhe vijonte mësimin në Gjilan, tani më është bërë pjesë e shkollës së Suharrnës. Kur është fjala për shkollën dua të theksojë se shkolla në Suharrën është funksionale dhe sipas mësimdhënësit dhe mirëmbajtësit të shkollës, ajo ka 4 nxënës në katër klasë, Pra, për secilën klasë nga një nxënës.
Në klasën e parë vijon mësimin Valmir Bajrami, në klasën e dytë Blonid Rexhepi, në klasën e tretë Eliza Ramadani dhe në klasën e katërt Dior Ramadani. Mësimdhënës në këto momente është Ilmi Bajrami, ndërsa një herë në javë vjen edhe arsimtari Hevzi nga Muhoci.
Shkolla mësimin e mban në objekt privat dhe, natyrisht mësimi zhvillohet në kushte jo të mira; edhe teknike edhe mësimore. Arsimtari Ilmi dhe mirëmbajtësi thonë se, shkolla ka nevojë për mirëmbajte më të mirë, si p.sh. për gëlqerosje, për pajisje me mjete mësimore e tjera, por për raste të tilla nuk ndahen mjete financiare duke u arsyetuar se ajo është shtëpi private dhe nuk kemi të drejtë të investojmë në të, por ata thonë se si paskemi të drejtë pra të mësojmë në të?
Ne Zarbicë po ashtu është e hapur shkolla në një shtëpi private dhe mësimin e vijon një nxënës me mësuesin Naim. Në këtë fshat tani jetojnë 6 familje dhe me punën dhe djersën e tyre kanë krijuar një bazë të mirë të mirëqenies. Po ashtu edhe në Priboc jetojnë 4 familje, dy prej të cilave janë kthyer vitin e kaluar dhe përkundër kushteve jo të mira ato po përpiqen që të rifillojnë jetën nga e para dhe që tani, pra në këto ditë të para të pranverës, shihet se i kanë pastruar oborret, kanë punuar tokën aq sa kanë mundur dhe kanë siguruar nga një lopë për fillim.
Edhe në Novosellë nuk është shuar jeta asnjëherë, sikurse edhe në Ramabuqë e në fshatrat tjera të kësaj pjese të fundit të Malësisë së Bujanocit. Shpresë për rikthim edhe të ndonjë familje, po jep edhe fillimi i asfaltimit të rrugës Zarbicë-Muhoc, edhe pse në sezonin e dimrit, për shkak të kushteve atmosferike, nuk ka vazhduar punimet, por pritet se së shpejti do të rifillojnë punimet me një intensitet më të shpejt.
Kur sheh këto familje që po gjallërojnë, shkolla që funksionon, lëvizjet e shumta të banorëve të kësaj ane, për vikende, vizita te të afërmit e për punë të tjera, shpresohet se mund të mendojë edhe ndonjë familje që t’i kthehet vendlindjes se vet për të krijuar të mira materiale për një jetesë më të mirë.
Por, këto lëvizje drejtë vatrave e vendlindjeve, sikur kanë filluar t’i pengojnë, përveç punktit policor në Muhoc, edhe kontrollimet që u bëhen banorëve nga ana e ushtrisë, në rrugë, herë herë “vizitat e rastit” në familjet që jetojnë në këto fshatra, hyrje nëpër oborre me armatim deri në dhëmbë etj. Ndoshta edhe e kanë detyrë, por kjo sikur krijon frikë e presion psikik te këto familje.
Deri sa ekziston policia dhe organet tjera civile, mendojmë se, nuk kanë të drejtë e nuk kanë nevojë ushtarët e armatosur të kontrollojnë banorët rend e pa rend, të futen në oborre e të kenë ndonjë sjellje tjetër që frikësojnë këto familje dhe fëmijët e tyre. /Ismet TAFILI/