Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e sotme, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal raportin financiar për periudhën janar-shtator 2019, propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale, Qendrës socio-edukative “Don Bosko” në Gjilan, propozim-vendimin për rialokimin e mjeteve, ku sqarimet e nevojshme i ka dhënë Zijadin Maliqi, drejtor për Financa.
Sa i përket Qendrës “Don Bosko”, drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Sali Fazliu ka thënë se kërkesa ka të bëjë me dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale, për një periudhë prej 40 vitesh, pronë kjo që i ishte ndarë asaj në vitin 2011, për një periudhë prej 10 vitesh. Fazliu ka thënë se pas përfundimit të afatit, të gjitha investimet i mbeten Komunës.
Qendra ka planifikuar një investim prej mbi 1.6 milion euro dhe realizimi i këtij projekti është kushtëzuar nga donatori me rregullimin afatgjatë të çështjes së pronës.
Përndryshe, opozita e ka vlerësuar të varfër rendin e punës së KPF, duke thënë se do të duhej të diskutohej për problemin e ujit të pijes, për rregulloren e orarit të punës së subjekteve afariste, për problemin e tokave të pronarëve në ish-kampin “Montith” dhe të tjera, ndërkohë që nuk janë sjellë ende as raportet e komisioneve të aksionarëve të kompanive publike.
Sa i përket orarit të punës së subjekteve afariste, Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se komisioni është duke e bërë punën e vetë në këtë rregullore dhe sapo ajo të jetë gati, ne do ta sjellim në Kuvend për diskutim dhe miratim.
Ndërsa sa iu përket çështjeve të tjera, ajo sqaroi se Kuvendi është duke e respektuar orarin vjetor të punës dhe se raportet për punën e kompanive publike janë paraparë për muajin dhjetor, ka thënë ajo.