/2L ONLINE/ – Drejtoria e Bujqësisë e Komunës së Gjilanit ka shpërndarë sot 25 makina mjelëse dhe 200 bidona të inoksit, subvencione këto për blegtorët. Në ceremoninë e shpërndarjes së këtyre ka marrë pjesë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtorit i Bujqësisë, Ramiz Ramadani.
“Është njëra nga mbështetjet e planifikuara nga ana e Komunës për blegtorët e për kryefamiljarët, të cilët me punën dhe djersën e tyre e ndërtojnë dhe zhvillojnë jetën. Do të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe ju lus që të mos e leni asnjë pëllëmbë toke pa e punuar sepse kështu e siguroni mirëqenien”, ka deklaruar pas shpërndarjes së subvencioneve të sotme, kryetari Haziri.
Ai ka shfaqur zotimin se fondi për bujqësinë do të rritet në vitin e ardhshëm.
“Përveç që do të rritet fondi i Komunës për bujqësinë, edhe partneritetin me shtetet tjera e kemi orientuar kah bujqësisa, sepse jemi të bindur se nuk ka sektor tjetër më të mirë dhe më të qëndueshëm në Gjilan dhe Anamoravë”, tha kryetari i Gjilanit.
Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, tha se nga 87 aplikacionet nga ana e farmerëve, që të gjithë kanë përfituar, duke shtuar se po e zbatojnë politikën e kryetarit Haziri ‘subvencione për të gjithë’.
“Kemi bërë përpjekje që edhe përmes subvencioneve të mërhershme t’iu dalim në ndihmë fermerëve, për ta rritur cilësinë e prodhimtarisë së qumështit. Sot, nga 87 aplikacionet në Drejtorinë e Bujqësisë, që të gjithë kanë përfituar edhe atë, 20 makina mjelëse, 5 makina mjelëse për dhi dhe 62 farmerëve iu kemi shpërndarë 200 bidona 20 litërsh të inoksit. Pra, po e zbatojmë politikën e kryetarit Haziri ‘subvencione për të gjithë. Besoj që me këto pajisje, 25 familjeve ua lehtësojmë mjeljen, ndërsa 62 familjet tjera e ngrisin cilësinë e qumështit”, ka thënë Ramadani. /2L ONLINE/