Iniciativa Qytetare e Zhegrës (IQZH), po e vazhdon aktivitetin e shpërndarjes së ndihmave mujore me artikuj ushqimor, që i filloi tani e katër vite më parë (1 janar 2014), për familjet në varfëri të skajshme.
“Kemi hyrë me një fillim të mirë në vitin e pestë të aksionit “Ushqim për Skamnorët”, dhe duam t’i falënderojmë të gjithë ata që na përkrahen që nga fillimi dhe vazhdojnë të na përkrahin dhe ndihmojnë edhe tani, si dhe të gjithë ata që po kyçen tani, për t’u ardhur në ndihmë familjeve në kushte të vështira”, ka bërë të ditur për 2LONLINE, Mustafë Jashari koordinator i IQZH-së.
Ai u shpreh se besojnë që edhe në këtë vit, do grumbullojnë mjete të mjaftueshme për të vazhduar me ndihmat mujore për familjet në kushte të vështira. “Shpërndarjes së pakove me artikuj ushqimor e higjienik në baza mujore, na bëjnë të veçantë dhe unik, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjer, prandaj inkurajojmë dhe ftojmë të gjithë ata që kanë mundësi dhe vullnet, t’i bashkohen Iniciativës “Ushqim për Skamnorët”, ka thënë Jashari.
Sipas tij, mjetet e grumbulluara për këtë qëllim, ndihmojnë një numër më të madh të familjeve për t’i plotësuar nevojat mujore të ushqimit, në këtë rast 20 familje me gjithsej 100 anëtarë, nga të cilët 56 fëmijë.
Pos ndihmave me pako ushqimore, në lokalin me veshmbathje të reja dhe të dorës së dytë, (lokali ndodhet në Zhegër)mund të shërbehen të gjithë ata që kanë nevojë. Veshmbathjet furnizohen nga Kryqi i kuq i Gjilanit si dhe familje e individë të ndryshëm nga vendi dhe diaspora, për çka IQZH, iu është falënderues.