Prend BUZHALA
SHPALOSJA E SHTJELLUAR SI LEXIM LETRAR
(Shefqet Dibrani: “Shoshitje letrare”, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” Gjilan, 2022)
Shefqet Dibrani tashmë në letrat tona shfaqet si autor, që, përveç poezisë dhe publicistikës, ai e shkruan edhe kritikën letrare dhe studimin letrar. Te vëllimi “Shoshitje letrare”, në botim të Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu” të Gjilanit, përfshihen tridhjetë punime për tridhjetë vepra të njëzetepesë autorëve, të cilat mbajnë referencën autoriale “studime dhe kritikë letrare për libra dhe autorë nga Kosova Lindore”. Ky vëllim vjen pas një përvoje leximi e studimi të këtij autori në vëllimet “Libra dhe mbresa” (2005), “Ndërmjetësime letrare” (2021) dhe studimit letrar në dy vëllime “MALËSORJA, romani monumental i Kosovës dhe “KARAKTERI dhe ARKETIPI, në romanin Malësorja” (2021).
1. Përqasje: kritika letrare dhe leximi metakritik
Në fakt, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” e Gjilanit, tashmë po e përmbush një projekt interesant e me vlerë të kritikës letrare kushtuar autorëve të Kosovës Lindore, me autorë nga Gjilani, Dardana, Vitia, si dhe nga Lugina e Preshevës. Kësisoj, deri më tash, pos Anton N. Berishës dhe Timo Mërkurit, ky është vëllimi i tretë që vjen para lexuesve me këtë botim kjo shtëpi botuese.
Gjithsesi që qëllimi i botuesit është që t’ia paraqesë lexuesit pamjet e shumta të leximit dhe këndvështrimet e ndryshme, sepse pothuajse nuk ka kritik letrar që të mos ketë shkruar për një dorë krijuesish të kësaj ane, sikundër janë vendosur me radhë edhe te ky vëllim: Rexhep Elmazi, Mirko Gashi, Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ramadan Musliu, Ibrahim Kadriu, Sabit Rrustemi apo Ramadan Mehmeti. Ekziston një përpjekje e autorit që veprës t’i qaset nga brenda, ashtu sikundër do ta përkufizonin qasjen e tillë Rene Velek e Ostin Voren si “qasje e brendshme ndaj një vepre letrare”, ani se autori parapëlqen të fusë edhe momente e dromca kujtimesh, takimesh, njohjesh, mbresash etj., gjithnjë me kërkesën që të ndërlidhen përqasjet e tilla me veprën dhe autorin. Pra, e gërsheton edhe me qasjet e jashtme të kësaj vepre e të vetë autorëve, që krijuan e vepruan në kontekste të ndryshme kohore, që kërkon shtjellimin e tekstit në kontekst. Lexuesi i këtyre vëllimeve të deritashme të profilit të leximit kritik të veprave e autorëve nga Kosova lindore, sigurisht që do ta pasurojë përvojën e tij të leximit, gjithnjë sipas asaj motos së Roland Bartit: sa lexues aq lexime. Dhe gjithsesi që një vepër jeton nëpërmes leximeve.
Në këtë gjedhe leximi të Shefqet hyjnë edhe krijuese e krijues letrarë si Albina Idrizi, Nexhat Rexha, Adnan Mehmeti, Sadete Tërnava-Osmani, Arsim Halili, Sarë Gjergji, Sevdije Rexhepi, Sinan Sadiku, Alketë Spahiu, Vaxhid Xhelili, Fehmi Qerimi, Hyrije Jusufi, Bilall Maliqi, Qëndresë Shala, Nebih Bunjaku dhe Majlinda Shaqiri.
Është thënë sa e sa herë se Kritika gjithnjë vjen mbas veprës, ani se ngandonjëherë ajo edhe i prin me kontekstin kulturor e shoqëror të momentit, në të cilin ajo krijohet, shkruhet. Hegel do të thoshte: “Kjo është fryma e epokës, e farkuar nga mendimet”. Secili kritik e ka gjedhen e vet të leximit. Epoka Moderne kërkonte vetëm Leximin e Tekstit, kurse që nga Niçeja e këndej, kërkonte vetëm Interpretimin, për deri sa estetika e repetimit (term i Hans Robert Jaus), na sugjeron kontekstet e përmendura, ndërsa strukturalistë e autorë si Bart-i etj. do të nxjerrin trikotominë Autori-Vepra-Lexuesi; apo në mes Mençurisë dhe Kreacionit. Shtigjet e leximit dhe të jetës të shpijnë në brigje gjithnjë të reja. Të shumta janë edhe rrymimet kritiko-letrare që nga kritika imanente, strukturalistët, formalistët, leximet linguistike të letërsisë e deri te interpretimi si lexim letrar apo dhe leximet postmoderne letrare.
Edhe shkrimi kritik i Shefqet Dibranit nuk mund t’i ikën kërkesës dhe prirjes së kryehershme të kritikës për të qëndruar në mes krijimit dhe dijes; në mes artit dhe shkencës, ndonëse kjo trikotomi kërkon jo vetëm përkushtim, po edhe dije letrare në radhë të parë dhe njohje të fushave tjera, në radhë të dytë.
Në këtë rast, kur po lexojmë dhe vlerësojmë një vëllim kritik, kemi të bëjmë me leximin metakritik, me metakritikën. Dhe ndërkëmbimi dije -art, mençuri-kreacion, sikur nuk pranë si Vetëdije për Tekstin: kështu, Leximi e Interpretimi si Dije shndërrohen në kreacion, metoda e përzgjedhur kritike e krijon objektin e vet, e krijon pra Artin e Vet, kurse Kreacioni ta dikton e ta shqipton Nocionin, Vepra artistike ta zbulon Metaforën e Intelektit. Edhe autori i këtij shkrimi tejlexues, si Lexues Metakritik, dëshiron ta ruajë masën e vet autoriale: që edhe libri, edhe teksti, edhe autori të marrin pamjen e këtij leximi personal. Te kjo harmoni, Leximi si i tillë, na detyron të themi se Arti Kritik na ndihmon të ruhemi nga ngërçet, nga fanitjet dhe nga përhitjet teorike letrare, kurse Dija, Intelekti a Mençuria na ndihmojnë të mos humbasin tej kufijve të leximit a të Vetëdijes për Tekstin.
2. Qasja e jashtme dhe qasja e brendshme ndaj veprës poetike
Ç ‘është e vërteta, të tridhjetë librat e rrokura në shoshitje (fjalë shqipe për shqyrtim të gjithanshëm), janë vepra poetike, ndër to, vepra poetike që përfshijnë poezi të zgjedhura në botim të kësaj shtëpie botuese, dhe ku gjithsesi hyn edhe personaliteti autorial i përzgjedhësit të tyre me tekstet e parathënieve letrare. Kësaj radhe, pra, nuk ja në objekt shpalosjeje veprat në prozë,, në dramaturgji apo në zhanret tjera letrare. Bie fjala, te Rexhep Elmazi veçon biografinë e tij, ashtu sikundër thekson edhe veprimtarinë e tij poetike: “Përballë motivit të theksuar lirik për jetën dhe dashurinë, poeti gjithmonë ka vendosur motivin e lirisë dhe siç shihet deri në fund të jetës, ai ishte angazhimi parësor dhe i vetmi synim i tij për ta materializuar.” Ose “cilat poeti e ka ndërtuar me sukses kultin e përfytyrimit të tragjikes”, kurse Poezia: “Le t’i bëhem theror gjakimit të shenjtë”, (faqe 26-7), e shprehur po ashtu si parandjenjë, është lirikë artistike e parandjenjës.: “parandjenjë e flijimit artistik para atij tragjik, që i ndodhi poetit pak ditë më vonë: “Për gjithçka që them dhe që e bëj/ E kam marrë guximin prej dashurisë/ Vetëm atë e pranoj si ligj suprem/ Brenda kllapave të jetës sime të shkretë”. Këtë parandjenjë e shquan vetëdija për flijim, flijim për dashurin ç dhe atdheun. Te poeti Mirko Gashi veçon bohemën e tij, kurse me sukses nxjerr edhe një përqasje mes biografisë së poetit dhe poezisë së tij, nëpërmes një shprehjeje me një leksemë gjermane, “Mishungu sociokulturor”. Është fjala për një ambient kulturor, ku përzihen te biografia e poezia e tij gjuhët, përkatësitë nacionale të prindërve, si dhe përzierjet fetare, e shprehur te “Arbor vitae” tek përkushtimet lirike,: “Ky mishung, (gjermanisht Mischung), është pjesë e dramës gjenetike e jetësore e cila duhet të ketë ndikuar në vlerat universale që i pat Mirkoja si intelektual, si poet por edhe si njeri.” Këtë e argumenton me vargjet e poetit:
“E ne jemi plim
Tri fe e një fis Por kurrë jo narcis“
(nga poezia poezia ”Gandiana e përsëritur, me përkushtim me përkushtim Samedin Mumxhiut e Anton Nikë Berishës).
Më tutje interpreton simbolika për maramën dhe për kalin e varreve, një cikël poetik i njohur e Mirkos, ne përbërë nga shtatë pjesë. Te shpalosja e librit poetik “Orfeiana” të Beqir Musliut, autori e pranon se leximi i kësaj poezie përbën një sfidë dhe kësaj sfide i përgjigjet me burimet e përqasjet qoftë nga veprimtaria poetike Beqir BMusliut, qoftë nga burimet mitologjike, historike, simbologjike etj. për t’i argumentuar këto me anë citatesh nga studiues e kritikë tjerë, sidomos përmasën e semantikës abstrakte; thekson se ai ishte Ishte eksperimentues dhe modelues, me përpjekje për ta vënë në pah metaforiken dhe topikën e kësaj poezie. Te vëllimi “Mëkatet e e(ha)vës” i Musa Ramadanit, veçon raportet e njeriut dhe krijuesit me shoqërinë dhe historinë, me mitologjinë, si dhe përkushtimin e poetit për të krijuar struktura specifike artistike, siç i kundron këto raporte te punimi tjetër kushtuar librit “Nostalgji antike” po të këtij autori. Veçantitë e shprehjes pektike dhe modernitetin poetik i shtjellon edhe për vëllimin me poezi të zgjedhura të Ramadan Musliut me titull “Shtjellë shpirtërore”. Janë tri vëllime poetike të Sabit Rrustemit, “Në fytyrën e një gjethi (2012), “Grafite nënlëkurore” dhe “Hyjnorja ime je ti, vëllimi 1-2”, për të cilat Shefqet Dibrani, ku i trajton lidhjet e poetit me vendlindjen te vëllimi parë, lidhjet me situatat e sotme e ato jetësore, te vëllimi i dytë dhe me dashurinë “tematikë dashurinë e trajtuar në të gjitha trajtat e mundshme motivore” te i treti, kësaj radhe, me përqendrim te tipologjia e figurave, te vlerat poetike. Ndërkaq te Ramadan Mehmmeti merr në lexim librin “Balsam zemre, Mikut, Beqir Musliut” e ku spikat dramën poetike dhe tragjiken. Te vëllimi “Pastaj harrohet”, i Ibrahim Kadriut, leximi i këtij libri është mundësi për ta shpalosur një kohë pikëllimi, siç ishin vitet ’80, si dhe mundësitë e shprehjes së figurshme në letërsi. Te poetja Albina Idrizi përshtypje e leximit i nxjerr nga eliptizmi poetik dhe vetëdija poetike për tekstin. Me këtë tip shpalosjesh autori vazhdon edhe te leximet tjera letrare.
Nëse vërejmë se cili është përdorimi i nocioneve kritiko-letrare i Shefqet Dibranit, do të shihet se ai ato më shumë i nxjerr në përdorim të lirshëm nga përqasje të ndryshme, gjithnjë me pretendimin për ta portretizuar personalitetin e një krijuesi nga aspekti letrar. Vërtet që aparatura diturore kritiko-letrare kërkon edhe saktësi mendimi, përkufizimi e argumentimi. Vetë kritika letrare qëndron mes shkencës dhe kreacionit. Autori anën kreative e ka të dallueshme, gjithnjë me kërkesat e përpjekjet që ta përplotësojë edhe më përkushtueshëm anën e vetëdijes letrare të tekstit me anë të aparaturës teoriko-letrare. Është gjë e mirë që autori dëgjon dhe respekton vlerat dhe mendimet e tjetrit. Sido që të jetë, deshëm të pajtohemi apo jo me vlerësimet e autorit, edhe shtjellimet e tilla personale i duhen letërsisë sonë, sepse secili nga leximet vetjake është ndihmesë që e pasuron fushën e leximeve letrare, edhe ashtu ende të pamjaftueshme në letrat tona. /2LONLINE/