Është mbajtur ceremonia përmbyllëse e Olimpiadës Matematike të Gjilanit, ku dhe janë dhënë certifikata për më të mirët e shkollave.
Nxënësit kanë shënuar suksese në garat e organizuara në lëndën e matematikës për klasat V e VI.
Të pranishëm ishin edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me ministren e Arsimit Arbërie Nagavci, ishim në ceremoninë përmbyllëse të Olimpiadës së Matematikës në Gjilan.
“Janë përzgjedhur më të mirët. Mbështetja për dijen nuk mungon. Për vitin që vjen do të mbështesim matematicientët, shoqatën dhe nxënësit sikur për të rinjtë, sportin e sferat tjera”, tha Alban Hyseni.
I pari i Gjilanit shtoi se do të përmbushet një obligim. Për talentët dhe të pasionuarit e matematikës nuk do të mungoi përkrahja.
“E ardhmja e tyre do të jetë e garantuar dhe e sigurt”, tha kryetari Hyseni.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, tha se në mesin e fushave shkencore, matematika është një ndër disiplinat më të vjetra, e cila është thelbësore për shkencën dhe teknologjinë, si dhe për jetën tonë të përditshme.
“Ishte nder dhe kënaqësi të jem në mesin e garuesve më të suksesshëm në Olimpiadën Matematike të Gjilanit (OMGj), tashmë një traditë shumëvjeçare”, tha Arbërie Nagavci.
Më tej ministrja Nagavci shtoi se “që nga marrja e mandatit të Qeverisë sonë, kemi ofruar mbështetje shumëdimensionale për matematikanët e rinj, mes të tjerash përmes subvencioneve të përvitshme për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, dhe mbështetje për pjesëmarrjen e tyre në gara ndërkombëtare”.
“Si Ministri e Arsimit, kemi shprehur gatishmërinë për të mbështetur përgatitjet për organizimin e Olimpiadës Matematike Evropiane për Vajza EGMO 2025, e cila do të organizohet për herë të parë në Kosovë në vitin 2025”, tha Nagavci.
Ministrja Nagavci përgëzoi Komunën e Gjilanit dhe Shoqatën Matematike të Gjilanit për organizimin e suksesshëm të Olimpiadës.
Ajo uroi nxënësit fitues dhe suksese të gjithëve në garat e ardhshme.
Kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit, Bregan Isufi ka vlerësuar përkrahjen e madhe të kryetarit Alban Hyseni për organizmin e kesaj gare.
Ai tregoi se janë duke hartuar disa projekte, pasi që Gjilani njihet si qytet i matematikës.
Vendin e parë e fituan Eni Kosumi nga klasa e V e shkollës “Rexhep Elmazi” dhe Shkëmb Kryeziu nga klasa e VI e shkollës “Nazim Hikmet”.
Vendin e dytë e fituan Ani Kosumi nga klasa e V e shkollës “Rexhep Elmazi” dhe Vesa Xhymshiti nga klasa e VI e shkollës ” Thimi Mitko”.
Vendin e tretë e fituan Malt Korqa nga klasa e V e shkolla Hello Academy of Education dhe Hera Thaçi nga klasa e VI e shkollês “Selami Hallaqi”. /2LONLINE/