Forcimi i shoqërisë civile, dëgjimi i zërit të qytetarëve, aktivizimi i të rinjve dhe mbrojtja e vlerave demokratike të një shoqërie janë disa prej qëllimeve që promovojnë organizatat joqeveritare apo shoqatat e qytetarëve. Por, si po funksionojnë dhe sa janë këto organizata aktive në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe sa po arrijnë të mbrojnë programet dhe qëllimet e tyre.
Në Bujanoc ekzistojnë një numër i madh i shoqatave të qytetarëve, shumica prej të cilave edhe pse janë të regjistruara, mund të thuhet se nuk janë edhe aq aktive.
Kryetari i komisionit të vlerësimit të projekteve të shoqatave të qytetarëve pranë komunës së Bujanocit, Bejxhet Selimi, thotë për Titullin se “komuna e Bujanocit i kushton mjaftë rëndësi bashkëpunimit me shoqatat e qytetarëve”.
“Për këtë vit komuna ka ndarë gjithsej dy milionë dinarë. Konkursi është shpallur në shkurt dhe prej 45 shoqatave që kanë aplikuar, 40 prej tyre kanë përfituar projekte. Shuma e ndarë ka qenë një milion e 860 mijë dinarë”, thotë Selimi, duke shtuar se “në këtë konkurs shumica kanë qenë shoqata të qytetarëve, por ka pasur edhe klube sportive të regjistruara si shoqata, apo ndonjë organizatë që merret me kulturë”.
Sipas Selimit, komuna, respektivisht komisioni që udhëheq ai, nuk kanë bërë ndonjë vlerësim se deri ku është arritur me realizimin e projekteve të fituara, por këto shoqata, sipas tij, deri në vitin e ardhshëm kur të konkurojnë prapë duhet të sjellin raportet e realizimit të projekteve.
Njëra prej organizatave që aktualisht dallohet me aktivizimin e të rinjve është Zyra për të Rinj e komunës së Bujanocit, e cila funksionon në kuadër të administratës komunale.
Sipas koordinatores së Zyres për të Rinj, Vjollca Aliut, kjo zyre ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve tek të rinjtë, ndërsa për këtë vit princip kryesor kanë humanizmin.
“Zyra për të rinj, përveç aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme, në fillim të këtij viti ka nisur me projektin për të drejtat e njeriut, që financohet nga Këshilli i Evropës dhe ka vazhduar me projektin “Edu karavan” që po realizohet aktualisht, e ku zyra jonë është partner lokal”, thotë Aliu.
Sipas saj, Zyra për të Rinj e komunës së Bujanocit ka bashkëpunim me shumë zyra për të rinj nëpër Serbi, por bashkëpunimin mbi të gjitha e forcojnë me zyrat e komunave multietnike, si në Sanxhak dhe Vojvodinë.
“Ne bashkëpunojmë edhe me shoqatat e qytetarëve, siç janë ‘Iniciativat qytetare’, e cila është organizatë që po funksionon në mënyrë më aktive në Bujanoc, por gjithashtu edhe me organizata tjera e institucione lokale”, thekson koordinatorja e Zyrës për të Rinj.
Ajo gjithashtu thotë se “zyra për të rinj e komunës së Bujanocit është njëra prej 12 zyrave që ka fituar udhërrëfyesin për të punuar me grupe të ndjeshme, ne jemi duke punuar me persona të hendikepuar, me persona me sindromin ‘down’, me romët dhe të tjera”.
Ibrahim Alishani, është njëri prej aktivistëve të shoqërisë civile me përvojë rreth 10 vjeçare. Ai ka qenë aktiv në punën e organizatës joqeveritare Qendra për Resurse Civile (CRC) në Bujanoc dhe këtë përvojë e vlerëson si mjaftë të mirë.
“Organizata jonë kryesisht është marrë me projekte për të rinj, me ofrimin e të rinjve të nacionaliteteve të ndryshme, pasi qyteti jonë është multietnik, por shkollat janë të ndara”, thotë Alishani për portalin informativ Titulli.
Projektet e CRC-së, sipas tij, kryesisht janë financuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd, por edhe nga donatorë të tjerë.
“Mund të them se qëllimin e kemi arritur 70 deri në 80 për qind”, përfundon Ibrahim Alishani.
“Duke e marr parasysh pasqyrën e organizatave joqeveritare në Luginë të Preshevës, e sidomos në komunë të Bujanocit, ne letër ka shumë organizata të regjistruara, por aktive ka shumë pak, në përjashtim të disa organizatave kanë selinë qendrore në Beograd”, thotë Egzon Lakna, aktivist i organizatës së njohur joqeveritare në Serbi, Nisma e të rinjëve për të drejtat e njeriut (YIHR).
“Këto organizata që vijnë nga Beogradi i realizojnë projektet në komunë të Bujanocit duke angazhuar një numër tejet të vogël të shqiptarëve me honorare e mëditje simbolike”, shprehet më tej Lakna.
Sipas tij, edhe organizatat që kanë realizuar projekte në Luginë të Preshevës, ato i kanë bërë vetëm për përfitime të fondeve, e jo për të arritur qëllimet që i kanë me program dhe statut, e këtu, sipas Laknës, problemi qëndron edhe tek të rinjtë e këtushëm, të cilën nuk janë të gatshëm të aktivizohen në sektorin civil pa një përfitim.
Sa është e rëndësishme shoqëria civile dhe arritja e rejtingut të këtyre organizatave, Lakna potencon edhe një rast kur me iniciativë të tij, organizata Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut ka fituar lëndën gjyqësore ndaj të përditshmes beogradase “Informer”, e cila në një artikull lidhur me konfliktin e disa të rinjve shqiptarë dhe serbë në Vjenë të Austrisë, ka përdorur gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Shoqëria civile, respektivisht organizatat joqeveritare në shtetet evropiane luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëri. Për këtë arsye këto organizata duhet të jenë edhe më aktive në vendin tonë, duke marr parasysh se mund të kontribuojnë për një jetë më të mirë të qytetarëve.
http://titulli.com/index.php?m=post&s=16444