Në fillim të nëntorit, nga policia ishte bërë me dije se përkundër hapjes së sezonit të gjuetisë, për periudhën kohore 2022-2023, për lloje të caktuara të kafshëve të egra, në tërë territorin e Republikës së Kosovës, asnjëra nga shoqatat e gjuetarëve dhe menaxherët e tyre në Rajonin e Gjilanit nuk i kishin plotësuar kushtet e parapara ligjore që të zhvillojnë aktivitetet e gjuetisë për këtë periudhë kohore, porse, sot nga drejtuesit e Shoqatës së Gjahtarëve “Agim Ramadani” – Gjilan, mësohet se tani më kanë marr pëlqimin nga ministria përkatëse për zhvillimin e aktiviteteve të gjuetisë, pasi i kanë plotësuar ato që iu janë kërkuar bazuar në ligj.
Siç mësohet nga shkresa e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kësaj shoqate iu është dhënë pëlqimi i miratimit të planit vjetor të menaxhimit të vendgjuetisë të përbashkët “Karadaku”, për vitin e gjuetisë 2022-2023, në Komunën e Gjilanit, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Pra nga sekretari i kësaj ministrie, bazuar në ligj, nenet përkatëse (shih në fund dokumentin e bashkangjitur), është nxjerrë pëlqimi në fjalë. Ky pëlqim ka të bëjë me miratimin e planit vjetor të menaxhimit të vendgjuetisë, duke i hapur rrugë kështu shoqatë së Gjahtarëve “Agim Ramadani” – Gjilan, për zhvillimin e aktiviteteve të gjuetisë.
Përndryshe, nga ky dokument shihet qartë se gjuetia mund të nis qysh tani, për faktin se, në vendim thuhet se pas hapjes së sezonës së gjuetisë 2022 – 2023, në qoftë se vendgjuetitë pajisen me plan të aprovuar, gjatë kohës së sezonit të hapur, mund të ushtrohet aktiviteti i gjuetisë sipas këtij vendimi, e në këtë rast kjo vlen për Shoqatën e Gjahtarëve “Agim Ramadani”, transmeton 2LONLINE.com.
Prandaj, përfaqësuesit e kësaj shoqate veçse kanë njoftuar anëtarët e saj që prej datës 18.12.2022, rifillon gjuetia në terrenin (vend gjuetinë) që menaxhohet nga kjo shoqatë dhe se anëtarët ftohen të pajisen me leje.
Përndryshe në këtë vendim sqarohet arsyeja e miratimit dhe poashtu përmendet fakti se obligohet shoqata në fjalë që t’i përmbush të gjitha aktivitetet e parapara me Planin Vjetor të Menaxhimit, ndërkohë që ky vendim iu është dërguar edhe Komunës së Gjilanit, përkatësisht Drejtorisë Komunale për Bujqësi dhe Pylltari. /2LONLINE/