Shkrimtarit, Prend Buzhala i shpallur, ditë më parë, fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”, iu është ndarë sot ky çmim nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për arritje të veçanta në letërsi.
Ky çmim, që jepet nga Zyra e kryetarit të Komunës, në bashkëpunim me klubin letrar të krijuesve gjilanas, Ars Club “Beqir Musliu”, iu dha Prend Buzhalës pasi ishte përzgjedhur paraprakisht nga juria vlerësuese e konkursit letrar “Beqir Musliu”, në përbërje: Arsim Halili (kryetar) dhe Sadetete Tërnava – Osmani e Tahir Arifi (anëtarë), transmeton Portali 2LONLINE.com.
Në ceremoninë e dhënies së këtij çmimi, që u bë në Bibliotekën e Qytetit, mori pjesë edhe kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili tha se që nga viti 2004 jepet ky çmim dhe po e vazhdojnë traditën tash për të gjashtëmbëdhjetën herë me radhë duke e shpallut fituesin.
“Me këtë rast, e uroj fituesin e këtij çmimi të madh letrar, poetin Prend Buzhala”, ka thënë kryetari i Komunës, Alban Hyseni.
Ndërsa, Kryetari i Komisionit vlerësues, Arsim Halili, tha se arsyet për t’u nominuar dhe për t‘ia dorëzuar çmimin poetit Buzhala kanë qenë faktike, duke thënë se ai është emër i cili i ka bërë mbi 80 vepra letrare.
E, për krijimtarinë dhe në mbështetje të këtij çmimi, për Prend Buzhalën folën edhe Emin Azemi, Tahir Arifi dhe Mehmetali Rexhepi si dhe nikoqiri i kësaj ngjarje kulturore, Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Club “Beqir Musliu”, transmeton 2LONLINE.com
Ndërsa, laureati i këtij çmimi, Prend Buzhala ka falënderuar Komunën e Gjilanit, Jurinë e këtij çmimi për këtë vendim dhe e ka çmuar Gjilanin si Qendër të Kulturës dhe si “Shtëpi” e Shkrimtarëve.
Përndryshe, deri më tash, me këtë Çmim letrar janë nderuar: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Ramadan Mehmeti, Nehas Sopaj, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Ramadan Rexhepi, Edi Shukriu, Agim Gjakova , Nasi Lera dhe tani Prend Buzhala. /2LONLINE/