Për kontributin e jashtëzakonshëm në letërsi, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i ndau çmimin e madh për letërsi “Beqir Musliu” shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi.
Fituesi i çmimit, Jusuf Buxhovi, tha se ndihet shumë i nderuar dhe emocionuar për këtë çmim, sepse i takon brezit letrar të “Beqir Musliut”.
Ai falënderoi kryetarin Hyseni për çmimin letrar “Beqir Musliu”, për të cilin, tha se duhet të ruhet, sepse nuk është vetëm i Gjilanit, por i gjithë letërsisë shqipe.
“Mendoj se është njëri ndër çmimet më të rëndësishme që jepet sot në përgjithësi dhe jam i nderuar që jam bartës i këtij çmimi”, tha Buxhovi.
Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, uroi shkrimtarin për çmimin letrar “Beqir Musliu” të ndarë nga Komuna e Gjilanit.
“Është nder dhe privilegj i veçantë që pas dhënies së çmimit për figurën e madhe të letërsisë së kombit tonë, të ndjerit Ismail Kadare, tashmë i bashkohet figurave të shquara të letërsisë, krijuesve dhe studiuesve shqiptar me dhënien e këtij çmimi edhe fituesi Jusuf Buxhovi”, tha Alban Hyseni.
Sipas tij fituesi i çmimit me një fjalim të shkurtër, paraqiti një lloj reflektimi dhe analize mbi të kaluarën, të tashmen dhe pasojat që janë sjellë nga jeta publike politike shqiptare në Kosovë veçanërisht.
“Mund edhe të kuptojmë aryset e përzgjedhjes së fituesit të çmimit “Beqir Musliu” për këtë vit. Urime për çmimin dhe faleminderit që jeni pjesë e listës së fituesve të çmimit të të madhit dhe ky çmim duhet të jetë pjesë e shpalljes për çdo vit dhe të pasurohet Gjilani me listën e fituesve të tjerë”, tha kryetari Hyseni. /2LONLINE/