Botime të reja
SHKRIMTARI ARIF MOLLIQI SJELL PËR LEXUESIT – ” KRESHNIKËT” E BOKSH BARUTIT
Shkrimtari i mirënjohur Arif Molliqi, i cili prej tri dekadash e sa jeton e krijon në Mërgatë ( Gjermani ), pas një serë veprash në poezi, prozë dhe publicistikë, kësaj lexuesit i befason me një vepër të re, ndryshe nga të tjerat . Bëhet fjalë për përmbledhjen me poezi humoristike, satirike e parodi pikante, me titull, “KRESHNIKËT” E BOKSH BARUTIT , të cilat fshikullojnë përditshmërinë tonë që nga fundi i viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar e këndej, veçmas skenën tonë politike dhe ate, skenën gjithëshqiptare, të cilën , natyrisht për ta parë ashtu si duhet, e karikaturon tej mase përmes vargjeve, duke ia shpërfaqur në publik, përmes petkit poetik, të gjitha të palarat, gafet, naivitetet, sorollitjet, mendjemadhësit e kapërdisjet e shfrenuara brenda e jashtë trojeve tona.
Një pjesë e lexuesve si dhe njohësve të letërsisë, veçmas bashkohanikët e Arif Molliqit, e dinë që Boksh Baruti është pseudonimi i hershëm i shkrimtarit, qysh nga vitet tetëdhjeta kur kishte filluar të merrej me humor dhe ishte njëri nga bashkëpunëtortët e zellshëm të revistës për humor e satirë, THUMBI nga Prishtina.
Arif Molliqi, kërë mjeshtri të stërholluar të humorit e satirës si dhe këngëve parodike nga kjo fushë, e ka ushtruar edhe më vonë, në revista të kësaj natyre, në prtale e rrjete sociale, duke dëshmuar një afinitet solid në shkrimin e kësaj poezie po dhe një guxim e shkathtësi në gjetjen dhe mbarështrimin e dukurive të ndryshme nga realiteti ynë i përditshëm që, dashur pa dashur, shndërrohet në “lëndë të parë”, për këtë krijues të palodhshëm.
Përndryshe, Arif Molliqi u lind më 11 janar 1953 në Llukë të Epërm të Deçanit.
Studioi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Juridik, drejtimi për gazetari.
Shkrimet e para , të cilat ishin nga fusha e humorit, i botoi me pseudonime të ndryshme si: Boksh Baruti, Topuz Bërryli, Prenk Sherri etj.
Më vonë, vazhdoi më poezi, prozë, skica, ese e tjera.
Bashkëpunoi më të gjitha gazetat dhe revistat e kohës në faqen e kulturës, e sidomos në satirë dhe humor.
Së fundmi është anëtar i redaksisë në revistën më prestigjioze “Akademia”, e cila botohet në Prishtinë.
Deri më tash ka botuar këto libra: 10 libra me poezi, 6 romane, 2 drama. 3 monografi si dhe një libër me skica dhe ese
Arif Molliqi tështë prezantuar edhe në disa libra, studime dhe antologji të ndryshme, po është dhe fitues e disa çmimeve letrare në Kosovë e jashtë saj.
Libri i tij më i ri, “KRESHNIKËT” E BOKSH BARUTIT, i botuar nga shtëpia botuese, “Beqir Musliu”, do të jetë pjesë e Panairit të Librit , në pjesën e parë të qershorit, në Prishtinë. /2LONLINE/
Ars Clubi “Beqir Musliu” Gjilan