Në kuadër të projektit “Ndikimi i Rinisë në Mjedis” (YENI), që është pjesë e marrëveshjes mes Komunës së Vitisë dhe Caritasit Zviceran (CaCH), sot është zhvilluar një aktivitet e ku të pranishë ishin edhe kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe përfaqësues të Caritasit Zviceran në Kosovë.
Marrëveshja e nënshkruar ditë më parë mes këtyre dy institucioneve, parasheh realizimin e disa aktiviteteve shkollore të cilat kryesisht lidhen me çështje mjedisore në shkolla dhe në Rini.
Implementimi i këtij projekti është duke u bërë nga eko klubet e formuara nga nxënësit e tri shkollave të mesme të larta në Komunën e Vitisë, SHML Gjimnazi ,,Kuvendi i Lezhës” Viti, IAAP ,,Januz Zejnullahu” – Viti, si dhe SHML,,Kongresi Manastirit” Pozheran.
Në IAAP ,,Januz Zejnullahu” në Viti, u realizuan me sukses investimet e planifikuar nga Eko grupi, ku kjo shkollë është furnizuar me 30 pajisje për pastrimin e ajrit në ambientin e brendshëm të shkollës, në klasë, koridore dhe salla. Në SHML “Kongresi i Manastirit”, do të bëhet gjelbërimi dhe mbjellja e 50 bimëve, ku do të bëhet edhe sistemi i ujitjes për to. Ndërsa tek Gjimnazi “Kuvendi i Lezhës” në Viti, trajnimet me eko klubet janë realizuar, por implementimi është shtyrë për arsye të renovimit të shkollës që do të ndodh në muajt në vijim.
Kryetari i komunës Sokol Haliti, tha se ky projekt ka për qëllim përmirësimin e veprimit klimatik dhe mbrojtjen e mjedisit në komunën e Vitisë, përmes angazhimit të të rinjve. Prandaj si i tillë, ndikimi i rinisë në mjedis është i domosdoshëm sepse fuqizon rolin e të rinjve të shkollave të larta e të mesme ndaj ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjes së mjedisit duke përfshirë edhe institucionet e tjera relevante.
Kryetari Haliti, pasi ka vlerësuar rendësin e këtij projekti, ka shprehur falënderim për bashkëpunimin tejet të mirë me Caritasin zvicerian, si dhe me gjitha organizatat që janë në bashkëpunim e sipër. /2LONLINE/