Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit së bashku me drejtorin e shkollës së mesme të lartë të Muzikës, në kuadër të bashkëpunimit që kanë me Liceun artistik të Tiranës sot kanë pritur në takim pune delegacionin e këtij Liceu kryesuar nga drejtori Shkëlqim Sirika.
Drejtori Nazim Gagica ka njoftuar delegacionin për punën e madhe që bëhet në sektorin e arsimit, por edhe përkushtimin dhe nivelin e lartë që kanë me talentin e tyre nxënësit e shkollës nga Gjilani dhe përkushtimin e personelit akademik të shkollës për të aftësuar në nivelin më të lartë nxënësit që dalin nga shkolla e Muzikës.
“Gjilani është krenar që bashkëpunimin e ka prej kohësh në një dimension shumë të gjerë me Liceun Artistik të Tiranës dhe përvojat por edhe bashkëpunimi që është duke ndodhur në këtë fazë është mbreslënës dhe shumë premtues. Edhe në të ardhmen urat lidhëse do të jenë në kuadër të aktiviteteve të shtuara mes Gjilant dhe Tiranës”, ka thënë mes tjerash drejtori Gagica.
Drejtori i Liceut Artistik të Tiranës, Shkëlqim Sirika, ka potencuar se nga ajo që kanë parë deri tani në Gjilan dhe në shkollën e Muzikës në veçanti, dëshmon për një vendosmëri në zhvillimin e të nxënit dhe krijimit të talentëve të përgatitur mirë.
Ndërsa, drejtori i shkollës së Muzikës në Gjilan, Kushtrim Jakupi, ka konfirmuar se falë angazhimit maksimal të nxënësve dhe mësimdhënësve me përkrahjen shumë të madhe të prindërve, puna në shkollën e Muzikës bëhet me shumë pedantëri dhe me profesionalizëm të madh për të zhvilluar talentin e nxënësve në degë të ndryshme të kësaj shkolle. /2LONLINE.com/