/2L ONLINE/ – “Vizita në Bazel” një projekt teatror transnacional, i cili po zhvillohet në mes “Theaterfalle” nga Bazeli, Teatrit Kombëtar të Gjilanit, si dhe Qendrës për Art Bashkëkohore “Varg e vi”, por mirëpritet mirë nga publiku në prezantimet e deritanishme që i ka pasur.
Kështu bënë të ditur njëri prej aktorëve gjilanas që është pjesë e saj, Avni Shkodra, sipas të cilit kanë mbetur të vihen në skenë edhe dy repriza. Shkodra tha se po kalojnë mirë dhe se pas vizitës së artistëve zviceranë në Gjilan, si dhe provave të përbashkëta me artistët kosovarë, që ishin bërë në prill të këtij viti, pala kosovare ishte ftuar për vizitë në Bazel, ku tani së bashku po e inskenojnë shfaqjen teatrate mobile“Vizita në Bazel“.
“Premiera ka shkua si është më së miri. Gjithashtu tiketat kanë qenë të rezervuar edhe për 4 netët tjera të parapara për shfaqjen. Do të thotë tani na kanë mbetur veç edhe dy repriza. Jemi duke pasur shumë mysafirë edhe nga komuniteti kosovar. Është me rëndësi me e përmend që performanca është multidiciplinare dhe jepet nëpër ambiente të hapura rreth lumin Rajna. Gjithashtu një dite mbasi që të nisemi për Kosovë, pra të mërkurën me datë 2, kemi me e diskutua mundësinë e sjelljes së kësaj performance vitin e ardhshëm edhe në Kosovë, kur mërgimtarët tanë gjendet për pushime”, ka thënë për Portalin 2L ONLINE, aktori Avni Shkodra.
Përndryshe, shfaqja “Vizita në Bazel“ është një komedi ndërkulturore që rrah temën e njohjes, paragjykimeve dhe keqkuptimeve në mes të kulturave. Halili, djali nga Kosova, të cilin e luan aktori Ridvan Murati, është në lidhje dashurie me Haidin zvicerane, rol i luajtur nga Sabine Schädler. Familja dhëndërit kosovar udhëton për vizitë te familja e nusës në Zvicër, vizita e të cilëve rezulton me sfidat e tyre, stereotipet apo limitet e njohjes së kulturës zvicerane, vështirësitë fillestare se si të sillen me një familje të huaj, etj., pasi që djali i tyre tashmë u bë urë lidhëse e komunikimit jo vetëm ndërmjet dy familjeve, por ndërmjet dy kulturave të ndryshme. Në anën tjetër, paragjykimet e familjes zvicerane për familjen kosovare, brengat për pasurinë e çiftit, takimi i familjeve në mes veti, çastet komike që rrjedhin nga mosnjohjet dhe keqkuptimet fillestare, pengesat në komunikimin gjuhësor, e tjerë e tjerë, janë disa pjesë që kanë funksionuar për mrekulli që të ndërtohet një ngjarje atraktive, kreative dhe komike!
Aktorët e tjerë janë: Avni Shkodra, Rolf Brügger, Kushtrim Qerimi, Ursina Gregori, Alban Shahiqi. Noemie Schwank e angazhuar në këtë shfaqje si muzikante, si dhe Kushtrim Zeqiri si artist vizuel. /2L ONLINE/