Hiq një kashtë e vë një kashtë, njëra sorrë tjetra laraskë!
Shkruan: Gani NEZIRI
Shkarkimi i bordeve dhe zëvendësimi i menjëhershëm i tyre na vuri në dijeni faktin që nuk e kishim ditur më herët. Ose, së paku unë kurrë nuk e kisha pas ditur.
Shkarkimi i këtyre bordeve nga partia në pushtet (në formë fshese) fillimisht më është dukur i padrejtë. Më dukej aventurë diletantësh politik. Por ama, kur i mësova emrat e të shkarkuarve nga njerëz që kishin më shumë se një vend pune, publikisht po e them se jam ndjerë goxha i entuziazmuar.
Për më tepër, kur mësova se gjithë ata emra mbajnë lidhje të ndërsjellë farefisnie të stilit; daja-nipi-stërnipi-halla-tezja-mbesa-stërmbesa-baxhanaku-vëllai i baxhanakut etj, pavarësisht se këto shkarkime i bënte partia rivale e imja Vetëvendosje, i dhashë përkrahje publike në takimet me qytetarë.
Mirëpo, kur mësova për emërimet e reja të bordeve të shkarkuara (me të drejtë) entuziazmi im u thye!
Mësova se të emëruarit e rinj janë dukshëm më banal se ata që u shkarkuan ditë më parë. Emërimet ishin bërë me kritere të njëjta si të parat; daja-nipi-stërnipi-halla-tezja-mbesa-stërmbesa-baxhanaku-i vëllai i baxhanakut etj!
Krejt kjo solli përfundimin në rikujtimin të këngës për “Perestrojkën”; “hiq një kashtë e vë një kashtë, njëra sorrë tjetra laraskë”.
Çfarë faji mbanë politika evropianë këtu?
Çfarë faji mbanë politika serbe këtu?
Çfarë faji mbanë populli këtu?
Çfarë faji mbaj unë këtu për shprehjen publike të zhgënjimit tim?
Epo, ku po shkon kështu o atdheu im i dashur?!