Një stuhi shiu me erë që ka përfshirë Luginën e Preshevës ka përmbytur rrugë të vendbanimeve të këtij rajoni. Shiu që po bie pandërprerë ka bërë që rrjeti i kanalizimeve të mos përballojë situatën e krijuar.
Në rrugët e Bujanocit, siç shihet edhe nga pamjet e bëra nga portali Titulli.com, uji ka filluar të dalë edhe mbi bordurat e trotuareve, derisa janë krijuar edhe kolona në komunikacion.
Situatë e njëjtë po mbretëron edhe në Preshevë ku rrugët kryesore janë të mbuluara nga uji, ndërsa është e vështirësuar ecja e këmbësorëve edhe në trotuare.
Përveç rrugëve, raportohet se edhe lumenjtë janë fryer, siç është ai i Moravës Jugore i Preshevës dhe Tërnocit.
Meteorologët për sot kanë parashikuar reshje të dendura të shiut të cilat nga fundjava pritet të pasohen edhe nga reshje të borës.
http://titulli.com/index.php?m=post&s=9037