Teksti i autorit Ledian Gjeci, i vënë në skenë nga regjisori Ilir Bokshi, me një kastë të konsiderueshme në numër, të aktorëve nga tri teatro kredibile: Teatri Kombëtar Shqiptar (Tiranë); Teatri Shqiptar i Maqedonisë së Veriut (Shkup) dhe Teatri Kombëtar i Kosovës (Prishtinë), është prezantuar në natën e dytë të Festivalit të Dramës shqipe në Gjilan “Talia e Flakës 2024”.
Numri i madh i publikut tradicional artdashës, që shfaqën interesim për të përcjellë hapjen zyrtare garuese të festivalit të dramës, bëri që të kemi kësisoj konstant interesimin për shfaqje, sikurse viteve të mëparshme.
Skena e ngjeshur me skenografi funksionale, me numër të madh të aktorëve që defilonin vazhdimisht e thuajse paralelisht në të njëjtën kohë, ishin veçori dalluese që e karakterizonin shfaqjen “Shtëpia e Zotit”.
Herë – herë ngjarja eskalonte në situata konfliktuoze dramatike, pasi rrjedha e tyre zhvillohej në një vend të predestinuar për të eskaluar e për të dalë papandehur nga kontrolli!
Subjekti narrativ i veprës së autorit përshkruhet si në vijim: – Gjatë një feste të pazakontë, grabitet një shtëpi ku kultivoheshin e përpunoheshin deri në fazën finale, bimë narkotike. Ajo situatë shkaktonte huti të pazakontë tek banorët pasi një numër syresh kishin lidhje biologjike e raporte familjare, ndërsa të tjerët ishin personazhe të infiltruar në shtëpi, që punonin për përfitime të ndryshme dhe lidheshin nga interesa të skajshme.
Gjatë rrjedhës së shfaqjes, ngjarja pasohet me një kaos total dhe amulli te grupi i shtëpisë së barit, pasi të gjithë fillojnë të dyshojnë tek njëri-tjetri për tradhti. Kjo situatë njëherit shënonte kulmin e konfliktit dramatik, ndërsa zbuloheshin gradualisht fshehtësitë e aktiviteteve të ndaluara, si dhe motivet e personazheve protagonistë në shfaqje.
E me kalimin e kohës paraqitet nevoja si domosdoshmëri që të ndryshohet në strategji vepruese, pasi aktiviteti aty nis të zbulohet, ngase nuk mund të mbahet sekret deri në pafundësi. Rrjedhimisht lind nevoja imediate për gjetjen e një vendi tjetër të fshehtë e të sigurt, ku do të vazhdohej me kultivimin e bimëve narkotike që sillnin fitime marramendëse.
Dhe, papritmas, instinktivisht, dikush propozon një vend ideal e të mënjanuar, ku nuk hynte askush. Një vend të përsosur për të jetuar, e për të vdekur – “Shtëpia e Zotit”. Vend në të cilin do të ndodhnin më pas ngjarje e situata nga më të ndryshmet e më të jashtëzakonshmet.
E veçanta tjetër e shfaqjes ishte skenografia e ngjeshur, sikurse edhe harmonia ndërvepruese mes personazheve në skenë. Ndërsa rrjedha e situatave rezultonte e natyrshme, përkundër vështirësive që paraqiteshin herë-herë, si rrjedhojë e skenave të ngjeshura, e zhvillimeve dinamike dhe konfliktuoze të imponuara nga vet ndodhitë dhe ngjarjet.
Përveç lojës së dalluar të kastës së aktorëve, në tërësinë e strukturës së shfaqjes ka spikatur veçanërisht skenografia adekuate, e cila, ndonëse e ngjeshur, ishte adekuate dhe funksionale, ndërsa muzika përbënte një tjetër veçori karakteristike që e bënte akoma më joshëse shfaqjen, duke mbajtur “pezull” kërshërinë e publikut prezentë.
Shfaqja me titull intrigues “Shtëpia e Zotit”, ishte e para e vënë në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit, që ka karakter garues, në kuadër të festivalit të dramës “Talia e Flakës”, ndërsa është e dyta shfaqje me radhë e prezantuar në këtë festival, pas shfaqjes nikoqire një ditë më parë, e cila hapi edicion e ri të festivalit, por që nuk hynë në konkurrencë për ndonjërin nga pesë çmimet e parapara.
Në shfaqje janë paraqitur aktorë nga tri ansamble të teatrove kombëtare, si: Bujar Ahmeti, Krist Lleshi, Shkëlzen Veseli, Ledion Zoi, Ligoraq Riza, Rafael Hoxhaj, Elia Zaharia, Abedin Alimi, Donald Shehu, Luli Bitri, Genti Deçka, Gentiana Ramadani dhe Beslidhje Bytyçi.
Skenografia mban autorësinë e skenografit Bekim Korça, koreografia është realizuar nga Robert Nuha, kostumografia nga Njomza Luci, ndërsa muzika është adaptuar nga Endri Sina.
Në natën e tretë të festivalit të dramës “Talia Flakës”, më 25 janar, para artdashësve prezantohet shfaqja “Grafitet” nga Teatri i Preshevës, me autor e regjisor, Naser Shatrolli. /2LONLINE/