Shfaqja “Ku…çka…” është shpërblyer me 3 çmime në Festivalin “Ditët e Komedisë Shqiptare” në Preshevë, që u mbajt nga data 5 deri me 9 nëntor dhe në të morën pjesë teatro nga mbarë trojet shqiptare, nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.
Në këtë festival, që kishte edicionin e dhjetë të tij, Elmaze Nura ka marrë çmimin regjisorja më e mirë, Mentor Zymberaj u shpall aktori më i mirë kryesor i festivalit dhe Florentina Ademi fitoi çmimin aktorja më e mirë kryesore për rolin e saj.
“Patëm rastin të shohim një shfaqje të kompletuar me të gjitha komponentët. Kjo është një satirë e kohës e cila duket në shikim të parë që është e lehtë, mirëpo brenda saj ndodhet një filozofi e thellë, e cila nuk i përket vetëm jetës së artistëve, por mund të aplikohet në secilën fushë të shoqërisë”, tha Josif Papagjoni, kritik teatri.
“Ka qenë një lojë e mrekullueshme e tri aktoreve dhe aktorit kryesor, por kjo nuk do të kish ndodhur pa magjistaren që e ka bërë regjinë”, tha ai.
Shfaqja “Ku…çka…” është një produksion i Teatrit “Dodona” në Prishtinë dhe vetëm për katër muaj, qe nga premiera është prezantuar në gjashtë festivale ndërkombëtare dhe mbarëkombëtare, si në Klaipeda (Lituani), Strumicë dhe Kumanovë ( Maqedoni), Gjakovë dhe Ferizaj ( Kosovë) dhe këtë herë në Luginën e Preshevës.