Shfaqja “Babai dhe babai”, me tekst të Jeton Neziraj dhe regjisor Kushtrim Koliqi, realizuar nga Teatri “Integra”, u prezantua para publikut, jurisë, e auditorit të gjërë në skenën alternative të Teatrit të Qytetit në Gjilan. I pranishëm ishte edhe Kryeministri Kurti, i cili bashkë me kryetarin e Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, për të dytën herë brenda pak ditësh kanë përcjellur nga afër rrjedhën e manifestimit, por edhe vet festivalit të dramës Shqipe “Talia e Flakës 2023”.
Skena e Teatrit të Qytetit të Gjilanit ishte fare modeste për të mundësuar pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të gjithë aderuesve të interesuar për ta përcjellë shfaqjen. kjo pasi natyra e saj ishte e predisponuar për skenën alternative, e cila ofron mundësi fare minimale krahasuar me interesimin masiv të artdashësve!
Në fakt janë ca prezantime skenike, qoftë në teatër apo mediume tjera, ku publiku e ka të vështirë të qëndroj indiferent e të gjykoj me kokë të kthjelltë, pa ndikime emocionale të shkaktuara nga vet ato.
E pikërisht shfaqja “Babai dhe babai”, ishte e tillë, pasi veç tjerash, kishte për temë fatin e personave të pagjetur nga lufta në Kosovës.
Aty pasqyrohet në shiqim të parë një dramë e zakonshme familjare, por me kalimin e kohës publiku mëson se regjisori ka pasur për qëllim që përmes “marifeteve”, me një zhdërvjelltësi autoriale, ta mbajë “pezull”, gjatë rrjedhës së shfaqjes deri tek arritja e kulmit dramatik, kur edhe fillon shthurja e konfliktit të dramës, e cila në realitet është dramë e personazheve.
Publiku është përballur me situata emocionale e dramatike, anipse të padeshifruara deri në fund, sidomos kur familja e vënë në sprovë ekonomike ka imperativ “arritjen” e një vendi të punës për babain, gjetje regjisoriale e cila e bënë shfaqjen tejet unike për nga kontinuiteti i rrjedhës, ku biseda e çiftit bashkëshortor për çështjet familjare që i preokupojnë, në fakt është dialog i sajuar vetëm në mendjen e gruas (Ilire Vinca).
Gradualisht publiku e kupton se ajo ndodhet në një gjendje të humbur emocianale e pa shtegëdalje, simbolika e certifikatës së lindjes, e cila del të jetë “e vdekjes”, “kinse” për një gabim të zyrtarit të ofiçarisë, është një gjetje poashtu e veçantë e regjisorit.
Përgjithësisht, shfaqja “Babai dhe Babai”, në dukje të parë një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, plagë që ka ngelur e pashëruar tek populli shqiptar në Kosovë, duke mbajtur peng familje të tëra, para së gjithash nga e drejta fundamentale për të mësuar për fatin e familjarëve të tyre të zhdukur!
Pas shfaqjes si rëndom është organizuar debati, i cili u përcoll nga një audiencë e kultivuar, ku me opinione e vlerësime për shfaqjen kanë kontribuar emra tashmë të dëshmuar të skenës, si nga Gjilani poashtu edhe gjetiu.
Aktori Ismet Azemi, vuri në pah se kjo dramë psikologjike e personazheve na solli lotë gëzimi, por edhe një shpresë, pasi siç u shprehë, dëshiron pa masë ta sheh teatrin në vendin e vet, atë meritor, si një institucion më të lartë të një qytetërimi, jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por gjithandej.
“Shfaqja nuk ishte diçka që nuk e kam pa më parë, por në këto rrethana të cilat jemi ne si komb, arrita të shoh diçka që nuk do të humbë – “kurrizi” i artit të së bukurës, i skenës dhe njerëzve aktorë të cilët shkelin mbi derrasat e teatrit”.
Ai e ka uruar për paraqitjen mjaft të mirë ansamblin në tërësi, Ilire Vinca e Bujar Ahmeti, por edhe aktoren e re, Kosovare Krasniqi, e cila sipas tij ka bërë hapa shumë shpresëdhënës, për të ardhmen e saj në skenën e teatrit, siç ishte skena e festivalit “Talia e Flakës”.
“Këtu në “Flakën e Janarit” e pashë një flakë, vijoi ai duke iu drejtuar autorëve të tekstit e shfaqjes, se “asgjë nuk mund të bëhet në këtë botë, sidomos në dramë, pa pasur plugje të thella që lërojnë përjetimet e botës njerëzore në një vend të caktuar”.
Sipas aktorit Ismet Azemi, ishte bërë një punë e mirë, e cila e ka cytë ta përcjellë shfaqjen dhe ta përjetoj deri në fund, madje germë pas germe!
Ndërsa kritiku i teatrit, profesori Josif Papagjoni, ka shfaqur vlerësime tejet pozitive për shfaqjen, e cila tha se i erdhi pikërisht ashtu siç do të donte ta shihte dramën shqipe, por në esencë tërë dramaticiteti i shfaqjes vjen përmes dramës së brendshme të personazhit, e që depërton tek secili shikues.
“Unë u trondita kaq shumë në Shkup nga shfaqja, sidomos kur lexova mesazhin nga ajo shami që na dhanë në fund, siç ua dhanë juve këtu. Ishte një aktor pranë meje, e mori dhe e hapi. Aty e pamë se ka një shkrim. I thash lexoje se unë e dija se ç’kishte… ishte e shkruar ajo fjali ku thuhej se 1600 vetë janë akoma të zhdukur. Ju besojeni, me të vërtetë, unë e kam atë shami akoma, e mbajta në xhep, si relikte religjioni, e më pas e futa në sirtar dhe për kokën e dy fëmijëve unë e kam akoma aty atë shami. Ajo më duket sikur diçka e shenjtëruar! Pse e shenjtëruar? Ma shenjtëroi Ilire Vinca, e shenjtëroi truri im, duke sublimuar krejt ato që kemi përjetuar. Ju ishit të tmerruar në Kosovë, por ne andej në Shqipëri ishim të frikësuar, ndonëse në një gradë më të ultë… Dhe unë kur e shihja Ilire Vinca, më vinte ajo idea: shiko si flet njeriu me veten. I duket sikur e ka përpara!… Unë p.sh. nuk ka ditë që nuk i kam në mendje prindërit e motrën time që kanë vdekur, sepse është në natyrën njerëzore: të vdekurit janë pjesa më e dhimshme e secilit njeri”, tha Papagjoni, duke konstatuar se kjo është ajo që i duhet teatrit, pra drama e personazhit!
Në diskutimin e zakonshëm pas shfaqjes kanë kontribuar edhe pjesëmarrës tjerë, si Muhamet Halili, Avni Shkodra, Shemsi Syla, Avni Rudaku, sikurse edhe përfaqësues tjerë nga paneli e publiku.
Festivali i Dramës “Talia e Flakës 2023”, mbyllet sot (E shtunë), në ditën e gjashtë të saj, me shfaqjen e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, “Pak Pakt”, ndërsa çmimet do të publikohen në Gala mbrëmjen e 31 janarit, pasi të jenë përmbyllur edhe aktivitete nëpër shtyllat tjera të manifestimit, letrare e muzikore, të cilat gjithashtu kanë karakter garues. /2LONLINE/