Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se sot në Komunën e Kamenicës është shëruar edhe një person.
Personi i shëruar është nga Poliqka.
Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, ka thënë se momentalisht në Komunën e Kamenicës ka mbetur vetëm një rast aktiv në Roganë.
“Shërohet edhe personi i 40-të, i identifikuar me virusin SARS-CoV-2 në komunën tonë. Nga 41 raste të identifikuara gjithsej, vetëm edhe një rast është akoma aktiv. Për fat të mirë edhe Poliqka tashmë nuk ka asnjë të infektuar dhe shpresoj që edhe rasti i fundit nga Rogana të shërohet së shpejti. Normalisht që kjo nuk do të thotë të mos kujdesemi për shëndetin tonë e të tjerëve, sepse numri i të infektuarve sot me COVID-19 në Kosovë është 28”, tha ai.
Gjithashtu Kastrati ka kërkuar nga qytetarë që të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm dhe të respektohen udhëzimet, të mos shtrëngohen duart me njëri-tjetrin dhe të pastrohen duart vazhdimisht për të mirën e familjes dhe shoqërisë.
Deri më sot numri i të infektuarve në Komunën e Kamenicës ka qenë 41, ku nga ta 40 janë shëruar plotësisht dhe një rast është akoma aktiv.