(2L ONLINE) – Gjendja në komunën e Gjilanit, e cila dje pasdite u përfshi nga reshje të mëdha të shiut, po shkon drejt stabilizimit. Komuna e ka formuar Komisionin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e ditës së enjte. Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka kërkuar ndihën e qeverisës së Kosovës, për sanimin e dëmeve nga kjo fatkeqësi e natyrës, në ekonomitë familjare, biznese dhe bujqësi.
Halit Rexhepi, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, thotë se dëme në objekte banimi ka pasur kryesisht në qytet si dhe në një pjesë të fshatit Malishevë. Prej fshatrave tjera nuk kemi pasur kërkesa për intervenim, thotë Rexhepi.
Ujërat kanë depërtuar kryesisht nëpër bodrume, ku kanë shkaktuar edhe dëme, meqë disa prej këtyre hapësirave kanë qenë duke u shfrytëzuar për banim dhe kanë pasur edhe pajisje shtëpiake.
Gjatë ditës së djeshme, përfshirë edhe natën, Shërbimet emergjente kanë pranuar gjithsej 32 kërkesa për intervenim, ku ka pasur nevojë për largimin e ujit nga bodrumet përmes pompave thithëse, thotë Rexhepi.
Lagja më e rrezikuar ka qenë ajo që shtrihet në anën e djathtë të Universitetit Publik të Gjilanit, ku ka edhe ndërtime mbi lumin Baja.
Gjatë natës është intervenuar në shtëpinë e Milazim Halitit në rrugën “Rexhep Dajkovci” që është afër lumit Mirusha, tek shtëpia e Sabit Hysenit në rrugën e “Kronit”, pastaj tek Burim Basha në rrugën “Madeline Albright”, tek shtëpia e Muharrem Mustafa te “Baja, ku është intervenuar deri në orët e vona pas mesnatës, tek Ekrem Ibrahimi në lagjen “Dheu i Bardhë”, ndërsa gjatë gjithë kohës është vëzhguar në rrugën qarkore.
Rexhepi thotë se ekipet janë në terren edhe ditën e sotme dhe po kryejnë internime atje ku kërkohet prej qytetarëve.
Ai apelon te qytetarët që të jenë të kujdesshëm kur hedhin mbeturina dhe të mos e bëjnë këtë në asnjë mënyrë në kanalizime, sepse nga ky shkak vjen deri te mbyllja e pusetave dhe si pasojë uji kthehet nëpër bodrume dhe shtëpi banimi.
Apeli i dytë i tij ka të bëjë me nevojën për reagimin edhe të qytetarëve në situata të tilla, në mbrojtjen e pasurisë së tyre, për aq sa është e mundur, derisa të shkojnë ekipet e mbrojtjes dhe shpëtimit, sepse kapacitetet ekzistuese të Shërbimit të Zjarrfikësve si dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim janë të kufizuara dhe nuk mund të reagojnë në të njëjtën kohë, në të gjitha rastet.
Qytetarët të cilët kanë nevojë për ndihmë, mund të lajmërohen në numrat e emergjencave: 193, 112, 194 dhe 192 dhe menjëherë shtabet emergjente do të intervenojnë. /2L ONLINE/