Në kuadër të manifestimit kulturor tradicional, “Ditët e Agimit 2018”, sot, është shënuar edhe ditëlindja e heroit të kombit, Agim Ramadanit dhe dita e SHFMU”, Agim Ramadani” në Zhegër, e cila mban emrin e tij.
“Jam i privilegjuar, që sot, në këtë përvjetor nderimi, kujtimi e përkuljeje para lavdisë së heroit tonë Agim Ramadani, t’u drejtohem e uroj për Ditën tuaj të shkollës, respektivisht Ditëlindjes së Agimit tonë – Agimit të lirisë. Është nderë t’u drejtohem në emër të DKA- së dhe institucioneve komunale juve që e rritët e u rritët me Agimin,ju që e ndjetë secilën frymëmarrje, e njohët secilën ëndërr të tij. Dhe ju që po rriteni këtu në shkollë nën emblemën e madhështinë e tij. Jam i bindur se Zhegra dhe kjo shkollë këtu siç lindi e rriti Agimin, do rrisë, edukojë e zhvillojë të tjerë emra që do na bëjnë krenarë në të ardhmen zhvillimore të vendit tonë”, ka thënë ndër tjerash drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica.
Kurse, drejtori i kësaj shkolle, Rrahman Agushi ka thënë se ditëlindja e Agimit dhe Dita e shkollës, për çdo 3 Maj, do të jetë ditë e lirisë, e mburrjes dhe krenarisë. “Por, edhe një ditë e manifestimit të asaj që ne detyrohemi për martirët, dëshmorët dhe heronjtë e lirisë së Kosovës” ka thënë ai.
Agushi tha se duke kujtuar ditëlindjen e komandantit, Agim Ramadani, kujtojmë lavdinë e luftës së UÇK-së dhe sakrificën e vajzave dhe djemve më të mirë që kishte atdheu. Kujtojmë lavdinë me të cilën ata u lindën, u rritën dhe ranë në altarin e lirisë.
Ndërkaq në emër të familjes së heroit të kombit, Agim Ramadani, nxënësit dhe ata që ishin të pranishëm në ngjarje, janë përshëndetur nga vëllai, Jashar Ramadani.
Ai u ka uruar shëndet për nxënësit, e pastaj ka kërkuar prej tyre që të jenë të përkushtuar ndaj shkollës dhe dijës.
Ndërsa nxënësit e kësaj shkolle, kanë shpalosur një program të pasur kulturor e artistik me këngë dhe valle popullore, si dhe kanë recituar poezi për heroin e kombit, Agim Ramadanin