KRU “Hidromorava” sh.a. së bashku me partnerët e saj, si: SHUKOS, DORSCH-CDI, Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Gjilanit, ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Humbjeve të Ujit për herë të parë në Kosovë.
Grupi i Ekspertëve për Humbjet e Ujit i Asociacionit Ndërkombëtar të Ujërave (IWA), ka caktuar 4 dhjetorin si Ditë Ndërkombëtare të Humbjeve të Ujit me synim vetëdijësimin e akterëve që merren me shërbimet e ujit dhe të gjithë konsumatorëve në mënyrë që të zvogëlohen sa më shumë humbjet e ujit.
KRU “Hidromorava” ka hartuar “Planin e Veprimit” dhe “Strategjinë e Komunikimit me Publikun për Sigurimin e Qasjes dhe Menaxhimit të Qëndrueshëm të Ujësjellësve dhe Kanalizimeve” në bashkëpunim me DORSCH-CDI dhe në kuadër të planit janë parapare aktivitete për informimin dhe vetëdijesimin e konsumatorëve për problemet dhe sfidat e furnizimit me ujë, ku pa dyshim sfida kryesore mbetet zvogëlimi i Humbjeve të Ujit.
Muhamed Suliqi, Kryeshef Ekzekutiv i KRU “Hidromorava” pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, foli edhe për “Strategjinë e Reduktimit të UPF 2018-2022”, ku njoftoi për rezultatet në zvogëlimin e Ujit të Pafaturuar, që synim i kompanisë deri vitin 2022 është të reduktohen humbjet në 45 %.
Znj. Hajrie Morina nga DORSCH-CDI shprehu gatishmërinë e vazhdimit të bashkpunimit me KRU “Hidromorava” në mbështjetje të projekteve kapitale, si në zëvendësimin e gypave të ujësjellësit, ujëmatësve dhe projekteve tjera të Programit Mbështetës për Ujësjellës dhe Kanalizime në Zonat Rurale – Faza e VI-të (RWSSP VI).
Bekim Juniku, Zv/drejtor i SHUKOS-it po ashtu potencoi nevojën e reduktimit të ujit në mënyrë që të sigurohet e drejta universale e qasjes në ujë të pijshëm për të gjithë.
Përveç të lartcekurve me prezantime të tyre kontribuuan përfaqësuesit nga Drejtoria e Inskpeksionit në Komunën e Gjilanit, përgjegjësit të departamenteve teknike dhe financiare të KRU “Hidromorava” dhe studentë të Fakultetit të Ndërtimtarisë në Prishtinë, drejtimi Hidroteknikë të cilët u shpërblyen më një shumë simbolike për punimet e tyre që i paraqiten për reduktimin e humbjeve të ujit.