Shaip Beqiri u lind më 25 mars 1954 në Gllamnik (Kosovë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Besianë, ku kreu edhe gjimnazin. Studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhësisë Shqiptare i kreu në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, ku ndoqi edhe studimet pasuniversitare.
Beqiri ka nisur të botojë poezi në fillim të vjetëve `70.
Ka botuar librat themelorë të poezisë:
Fontana e etjeve, Rilindja, 1976, Prishtinë; Konica, 2006², Prishtinë,
Flatrat e gjymta, Rilindja, 1983, Prishtinë,
Eklipsi i gjakut, Pashku, 2000, Prishtinë,
Muranat e muzgut, Konica, 2015, Prishtinë;
Librat e zgjedhur të poezisë:
Rekuiem për veten, Buzuku, 1997, Prishtinë,
Prangat e praruara, Toena, 1998, Tiranë,
Librat e përkthyer të poezisë:
Izmedju dva ponora / Ndërmjet dy humnerave, Jedinstvo, 1988, Prishtinë, përkthyer serbisht nga Ramadan Musliu,
Hydra des Zorns / Hidra e mllefit, Limmat, 2014, Zürich, zgjedhur e përkthyer gjermanisht nga Hans-Joachim Lanksch;
Librat e përgatitur dhe të mbarështuar:
Kadri Kadriu: Ylli në maja, Rilindja, 1982, Prishtinë,
Natasha Lako: Këmisha e pranverës, Rilindja, 1984, Prishtinë,
Adem Demaçi: Kur zoti harron / Fërkime, Zëri, 1990, Prishtinë,
Sfida e gjeniut – Kadare * Ekzili * Kosova, Buzuku, 1991, Prishtinë,
Anton Pashkui: Galtina – Mbetjet letrare me dy shtesa e një bibliografi, Konica, 2005, Prishtinë;
Librat e përkthyer të poezisë:
Janis Ricos: Vdekjes nuk i besoj (me S. Çomoron e A. Çaçin), Rilindja, 1982, Prishtinë,
Edvard Kocbek: Puthja e plagës, Rilindja, 1989, Prishtinë.
Beqiri nga mesi i vjetëve `70 merret me redaktim, publicistikë dhe përkthim. Në fillim qe mësimdhënës në Gjimnazin e Besianës, pastaj në vjetët 1976 – 1977 redaktor i rubrikës së kulturës i gazetës së studentëve të Kosovës Bota e re; në vjetët 1977 – 1993 poashtu redaktor i rubrikës së kulturës i revistës Zëri; në vjetët 1978 – 1990 bashkëpunëtor i ndërmarrjes botuese Rilindja; në vjetët 1990 – 1995 bashkëpunëtor i ndërmarrjes botuese Gjon Buzuku; në vjetët 1990 – 1992 anëtar i redaksisë së të përkohshmes për kulturë, art e letërsi Fjala; ndërkaq në vjetët 1993 – 1994 e themeloi dhe e udhëhoqi (bashkë me Adem Demaçin) të përjavshmen politike Forumi dhe më 1995 (me Teki Dërvishin) të përjavshmen tjetër Zeniti.
Një pjesë e veprës poetike të Shaip Beqirit është botuar edhe në gjuhë të tjera, si gjermanisht, anglisht, frëngjisht, serbisht, rumanisht, kroatisht etj. Poashtu ai është paraqitur në shumë antologji të ndryshme të poezisë si dhe në manifestime e lexime letrare.
Shaip Beqiri nga viti 1995 jeton në Zvicër.
Edhe në mërgim ka vazhduar krijimtarinë në fushë të letërsisë dhe të publicistikës duke bashkëpunuar me revista e gazeta të ndryshme: Eurozëri, Bota sot, Java shqiptare, Zëri ditor etj.
Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës nga viti 1976 dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve të Zvicrës nga viti 1998.
VLERËSIMI I KRIJIMTARISË LETRARE TË SHAIP BEQIRIT NGA KRITKË TË NDRYSHËM E SHKRIMTARË
Shaip Beqiri e përforcon dhe e thellon çështjen e gjuhës poetike. Kështu kultivon një poezi të disiplinës së saktësisë poetike e logjike, po me një imagjinatë të pasur ku realizon nivelet e koncepteve të veta poetike. Kjo mund të cilësohet si harmoni e mirë midis saktësisë poetike dhe imagjinatës racionale me një theks të forcuar të metonimisë poetike.
Ibrahim Rugova, 1982
*
Shaip Beqiri në saje të këtij dimensioni (përsëritja e fjalës poetike gjithmonë me kushtëzime të reja ligjërimore duke krijuar kështu historinë e saj) e krijon figurën, kuptimi i tërësishëm i së cilës nuk mund të kapet po nuk u vërejt në raportin: poezi – cikël – libër tërësisht. Në këtë rrafsh shkohet mjaft thellë sa edhe kur pranohet ndonjëra prej figurave mjaft të konsumuara, ajo në saje të ligjërimit poetik vetanak fiton ndonjë nuancë të re . Këtu edhe duhet të kërkohet origjinaliteti i kësaj poezie.
Xhemail Mustafa, 1977
*
Shaip Beqiri frymëzimet dhe preokupimet e veta lirike i realizon në një fakturë moderne, e cila do të tipizohet me shprehjen spontane aforistike dhe ekspresive. Kjo vetvetiu shpie kah ajo që do të cilësohet si individualitet në orkestrimin poetik të kohës dhe hapësirës sonë.
Qerim Ujkani, 1978
*
Asociacioni është baza e ndërtimit të poezive të Shaip Beqirit. Asociativja ka vlerë të veçantë në poezi kur të shpie kah përcaktimi më i përafërt i një ideje. Kjo në këtë poezi është sfondi, i cili lidh në një tërësi ngjyra që shkrihen njëra në tjetrën dhe nuk krijojnë kontrast. Është për t’u vënë re se poeti përpiqet të krijojë një figuracion të ri, ose, më mirë thënë, figurës kërkon t’i japë në poezinë e vet një funksion të ri, të paprovuar aq shumë nga të tjerët.
Mehmet Kraja, 1978
*
Shihet qartë se në gjithë vëllimin poetik “Fontana e etjeve” përvidhet prirja e ndërtimit të vjershës në bazë të sintezës së lirë të asociacioneve, e cila herë herë lë mbresat se fjala është për një tolerancë të tepruar, ku fjalët i nënshtrohen induktimit të kuptimit. Ky induktim, që prek kufirin e zonës së semantizimit të njësive dhe sintaksës, në rastet kur bëhet qëllim i vetëdijshëm dhe kur intencionalisht shenjimin e përmbyll brenda kufijve të një përvoje të fetishizuar për objektin e sendin, është në gjendje që nga sinteza e lirë të nxjerrë hipotezë, e cila përmbyllet në një ide të përcaktuar nga subjekti poetik. Në situatën e krijuar me sukses bëhet ikja nga asociaciviteti polimorf dhe struktura tekstuale ka një koherencë të brendshme, e cila e zëvendëson me ide objektin e këngëtimit. Krahas përpunimit të domethënies në nivelin sintaktik, realizohet edhe unifikimi i shtresës ritmike dhe tingullore në një konkretësi semantike.
Ramadan Musliu, 1980
*
Në gjithë librin „Fontana e etjeve“, duke marrë parasysh mungesën e madhe të poezisë alegorike në letërsinë tonë, „Loja në cirkun e përgjakur“ përbën njërën ndër poezitë më të bukura të këtij zhanri.
Abdullah Konushevci, 1980
*
Nëpërmjet një strukture të veçantë të mesazhit artistik, që kur kuptohet esencialisht shkakton komunikim mjaft intensiv, ai përherë mbetet në strukturën thelbësore të shqiptimit dhe të përjetësimit artistik të botës. Ky mesazh konceptohet dhe realizohet me përkushtim – individualisht zë fill me fjalën (të cilën e hulumton vijueshëm dhe përpiqet t’i japë funksionin më poetik që mund t’i jepet brenda vargut të tij), me sintagmën poetike, me vargun e deri me pjesët më të mëdha tekstore – sintaksore, me poezinë si njësi tërësore, por edhe me gjithë librin si unitet tematik dhe shprehës poetik.
Anton N. Berisha, 1983
*
Veçantia dhe preciziteti, begatia e mjeteve shprehëse që nga leksiku dhe sintagma, organizimi i vargut, që në vete ruan nuancat e një solemniteti klasik në disa raste, është poashtu dëshmi e një poetike të qëndrueshme dhe të një individualiteti të theksuar krijues.
Ali Aliu, 1984
*
Sh. Beqiri hulumton poetikisht pasqyrimin vetjak dhe të huaj të figurave dhe të personaliteteve, me anë të të cilave përpiqet të demistifikojë fuqinë e këtyre miteve dhe t’i njerëzojë ato, duke u orvatur njëkohësisht t’i çjerrë maskat dhe dytësitë e qenieve.
Danica Andrejeviq, 1988
*
Poezia e Shaip Beqirit nuk priret të të ngrejë peshë, ajo synon diçka tjetër më të thellë: të bën të mendosh. Në hapësirat e kësaj poezie midis Rrënjës e Rrufesë shfaqet Murana. Murana e fatit të grisur apo e gjymtimit njerëzor. Përgjigjen e kësaj pyetjeje gërryese e gjejmë në shkrirjen harmonike të porosisë me ritmin që e përcjell atë, në fjalën e zgjedhur e disi të zhveshur poetike që lind së brendshmi dhe ngjitet lart për të shpallur të vërteta njerëzore plot hidhësi, dhembje dhe ankth. Në këtë tip ligjërimi, metafora dhe simboli jetojnë në saje të nxjerrjes jashtë loje të retorikës. Në fund të fundit, poeti pikturon me dorë të sigurtë udhëkryqin për të nënkuptuar vetë Udhën e jetës.
Xhevahir Spahiu, 1992
*
Shaip Beqiri i takon atij grupi të vogël të poetëve që duhet të vazhdojnë udhën “pyllit të pashkelur të shpirtit”.
E para që duhet thënë për poezitë e Shaip Beqirit është bindja se ato janë anagrame, fotografi të kujtesës poetike, asaj më njerëzores në racën e poetëve. Dhe a ka gjë më njerëzore se kujtesa? Madje as turpi nuk është më njerëzor, falë mos i qofshim! Prandaj këto anagrame të Shaip Beqirit shndërrohen në mesazhe për të ndjekur agnozionin në dymendjesinë tonë. Në të vërtetë këto vargje janë një luftë e ashpër kundër amnezisë, janë shprushje e tmerrshme në kujtesë, janë depërtim përfundi realitetit të trazuar që përkufizohet me heshtjen ose me vdekjen, që për kauzalitetin artistik është njësoj. Derisa arti përgjithësisht është rezultat i mospërsosmërisë sonë, shpëtojnë ata që besojnë si Shaip Beqiri në trininë e racionalitetit, realitetit dhe kujtesës.
Ymer Shkreli, 1997
*
Shaip Beqiri nuk i ka kushtuar rëndësi poetikës së gurit të viteve `50 dhe `60 si dhe inventarit përkatës të simboleve (mal, gur, shkëmb, asht, ujk, gjarpër, kullë), por ka krijuar tabloide të errëta me metafora të asociuara shlirshëm, për ç’gjë kritika zyrtare e letrave atij ia ngriti akuzën e „surrealizmit“.
Një rreze shprese në këtë skenar kataklizme të poezisë dikur aq të madhe të Kosovës, e cila është duke rrëshqitur në mediokritet dhe provincializëm, e paraqesin disa nga autorët e mërguar, të cilët kanë një penë poetikisht të fuqishme që nuk është e katranosur me patos e ideologji dhe poashtu nuk është e topitur nga përditshmëria e tmerrit…
Hans-Joachim Lanksch, 1997
*
Në letrat shqipe ka kohë që Shaip Beqiri është i pranishëm me një artikulim të veçantë. E them këtë sepse ky poet është dëshmuar me vlera, duke ofruar një poezi që shumë pak ka fërkime me atë dërrmuesen që shkruhet në hapësirën tonë gjuhësore.
Po të elaborohen me kujdes këto tri pikëmbështetëse, vëren se poeti shtron edhe problemin e gjeniut tonë krijues, individualitetin e tij të formatit të një Lasgush Poradeci, prania e të cilit hetohet jo vetëm në leksikun, por edhe në elementet përcjellëse të aktit krijues të Beqirit, i cili përqafon, selit dhe mbron një ligjërim poetik shqip lasgushian. I udhëhequr nga ky mësues i tij i madh shpirtëror dhe i mbështetur në njohjen e thellë të poezisë moderne, Beqiri ngre para së gjithash çështjen e gjuhës poetike, variantet e mundshme të fjalës, magjinë mahnitëse dhe provon mundësitë që ofron ajo kur mjeshtri i saj di t`ia gjejë vendin aty ku duhet në tekst.
Ali Podrimja, 1998
*
Se ai është një shkrimtar i mrekullueshëm, në veçanti lirik në gjuhën e tij amtare, unë e kam të dëshmuar nga përkthimet që i kam përpara; gjë që ishte arsyeja për ndërhyrjen time në interes të tij. Njohës të letërsisë shqiptare më sigurojnë se ai nuk është vetëm njëri nga shkrimtarët e pakompromtueshëm, por edhe njeri që meriton kualifikimin me çmimet më të larta ndërkombëtare. Sipas bindjes sime të sinqertë është një dobi për vendin tonë – ashtu siç ka qenë për paraardhësit e tij me bindje demokratiko-republikane – që dëshmohet si nikoqir i tij.
Adolf Muschg, 2000/1
*
Në librin poetik dygjuhësh shqip/gjermanisht Shaip Beqiri me një metaforikë të pasur këndon atdheun e tij dhe përvojën e vet të mërgimit.
Në vend të një koke të prerë, hidrës do t´i dalin dy koka të tjera. Një imazh i qëlluar për pakuptimësinë e përhershme të dhunës e të luftës. Megjithatë, mbetet të shpresohet që mitologjia mashtron. Poeti i Kosovës Shaip Beqiri për librin e tij më të ri dygjuhësh ka zgjedhur titullin “Hidra e mllefit” si mënyrë e të rrëfyerit për gjërat traumatike që kanë ndodhur në dekadat e fundit në Kosovë. Me një pasuri metaforike të mbushura madje anë e përtej, poezitë e tij lexohen pikërisht si historiografi lirike me përplot aludime dhe sugjerime, të cilat, megjithatë jo gjithmonë mund të përthithen me një vështrim të vetëm.
Johanna Lier, 2014
*
Që nga përkthimi frëngjisht i trilogjisë sime shpesh jam ftuar në takimet letrare në atë gjuhë. Udhëtimi im letrar më shpie kësaj here për në La Chaux-de-Fonds në një rreth letrar, i cili prej meje bëri një ´livre du coeur´. Rrahje e zemrës, gjaku i zemrës, libri i zemrës, përzemërsisht. Hera e parë është që nga Berni për në Biel nuk e shikoj më peizazhin. Kjo marshrutë është udhë pune. Kërkoj falje prej saj, pasi lexoj poezi nga Shaip Beqiri tek libri im dygjuhësor shqip-gjermanisht, HIDRA E MLLEFIT:
Francesco Micieli, 2014
*
Mes dy gjeneratave krijuese të letrave shqipe, është një gjeneratë së cilës i përket poeti Shaip Beqiri, që nuk u ngjan as soc-realistëve të dikurshëm, as kuller-poetëve që nuk ia dalin ta mësojnë as gjuhën e poezisë që krijojnë vetë.
Gjuha shqipe e poezisë së Shaip Beqirit sikur bëhet një manierë e shprehjes së kulluar, sikur na bind se nuk ka thellësi shpirti dhe mendjeje që nuk mund ta prekë e ta shprehë kjo gjuha shqipe e poezisë së tij. Vargu i latuar deri në subtilitet i poezisë së Sh. Beqirit ka diçka nga pjesa më e mirë e poezisë shqipe të Rilindjes Kombëtare, ka diçka edhe nga kulmi i poezisë shqipe të gjeneratës së ashtuquajtur “dekadente”, ka edhe timbrin e një amshueshmërie gjithnjë bashëkohëse, dhe në këto ngjashmëri vendos themel të fortë një origjinalitet dhe një individualitet i theksuar i vokacionit krijues. Aq sa është subtil dhe i ndjeshëm, Sh. Beqiri është po aq edhe erudit, prandaj kultura krijuese e njohjes dhe e rinjohjes në poezinë e tij na bën të mos mund të gjejmë asnjë poet nga trashëgimia dhe bashëkohësia e poezisë shqipe nga i cili nuk ka mësuar Shaip Beqiri, por po kaq – edhe subtiliteti e ndjeshmëria e tij – na bëjnë të mos mund të gjejmë asnjë poet nga më të mëdhenjtë që mund të ketë ushtruar ndikim tek Shaip Beqiri.
Kur më bie në dorë ndonjë libër i përkryer poezie, për mua kjo është një festë e madhe e shpirtit. Dhe kjo ndodh rrallëherë në jetën time. Në shtëpinë time është një bibliotekë fare e vogël e librave që i rilexoj gjatë gjithë jetës sime. “Hidra e mllefit” e poetit të madh Shaip Beqiri tashmë është vendosur në këtë bibliotekën time të librave nga antologjia e kritereve të mia personale.
Poezinë e Shaip Beqirit e kam njohur që nga paraqitja e parë e saj në letërsinë shqiptare. Dhe kam pasur një mendim dhe ndjeshmëri ndaj kësaj poezie, por tash, e përzgjedhur në një opus të titulluar “Hidra e mllefit”, ajo e ka krijuar para meje figurën dhe portretin e një poeti, i cili qe disa dekada vështirë është dëgjuar nga zhurma e madhe e brigadierëve të poezisë, por që tash, në këtë kohë krijuese, kjo poezi ngrihet në majat e krijimtarisë poetike shqiptare, duke u bërë me meritë pjesë e pandashme e traditës dhe trashëgimisë së letërsisë shqipe.
Teki Dërvishi, 2005
Pra nga një sërë vlersimesh që qëllimisht e filluam me Ibrahim Rugovën dhe e përfunduam me Teki Dërvishin, mund të nxjerrim një konkludim të vetëm: Shaip Beqiri është poet i rrallë dhe poezia e tij moti ka kaluar kufijtë kombëtarë, ajo lexohet dhe vlerësohet lart edhe nga krijues e kritikë të huaj.
Për SHKSHZ
Bujar Salihu