/2L ONLINE/ – “Trendet pozitive dhe gatishmëria e qytetarëve të Komunës së Gjilanit për të legalizuar ndërtimet e reja, pajisja me leje ndërtimore, por edhe planifikimi i zonave të reja urbane, implementimi i planeve në terren, monitorimin dhe angazhimin për legalizim të objekteve pa leje më qëllim që gjithçka që ndërtohet në Gjilan të jetë në kuadër të planifikimit dhe kushteve të përcaktuara ndërtimore”. Kështu ka thënë në konferencën me gazetarë drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Valon Shefkiu.
Shefkiu ka thënë, gjithashtu, se është një fat shumë i madh që qytetarët e Gjilanit janë të vetëdijësuar dhe fillimisht drejtohen në zyrat e drejtorisë, pastaj fillojnë ndërtimin në terren, konform kushteve dhe pëlqimit urbanistik që i lëshon Drejtoria e Urbanizmit.
“Aktivitetet e ndërmarra gjatë kësaj periudhe janë të shumta duke nisur që nga hartimi i planeve rregulluese, miratimi i tyre nga Kuvendi Komunal, pastaj përfundimi i projekteve të zonave mikro urbane si hapësira përcjellëse për banim kolektiv në lagjen “Kamnik”, trotuari përgjatë stacionit të autobusëve, hapësira te xhamia në lagjen “Dardania”, hapësira për banim kolektiv në Bulevardin e Pavarësisë, në rrugën Reshat Ymeri, para Teatrit të Qytetit, hapësirës publike te “Sahat Kulla”, te “Sheshi i Ilegales”, prapa “Soliterit”, etj.”, ka thënë drejtori Shefkiu.
Ai konfirmoi se përgatitja e Planit Rregullues të Hollsishëm “Qendra 4”, pa asnjë shpenzim të vetëm financiar, është rasti i parë në nivel të Kosovës që është përgatitur nga eksperët e tyre.
Shefkiu ka informuar se në këtë periudhë kohore kanë marrë aprovimin e Kuvendit të Komunës për disa plane urbanistike dhe implementimin praktik të planeve të miratuara më herët.
“Në të hyrat vetanake, Komuna e Gjilanit ka krijuar të hyra rekorde që nga paslufta nga kodi i lejeve ndërtimore me afro 800 mijë euro, ose mbi 163 mijë metra katrorë hapësirë ndërtimore. Kurse, nga legalizimi i objekteve pa leje për këtë pjesë të vitit janë krijuar të hyra në shumën prej rreth 70 mijë euro. Së bashku edhe me të hyrat tjera nga kode të ndryshme në kuadër të kësaj Drejtorie në total janë 851 mijë e 846 euro, ose 100 për qind realizim i planifikimit për vitin 2016 vetëm për nëntë muaj të punës gjatë këtij viti”, ka deklaruar i pari i Urbanizmit në Gjilan.
Sektori i Inspeksionit, sipas Shefkiut, ka ndikuar që këto të hyra të jenë në këtë nivel, me monitorimin dhe me angazhimin konkret në terren, duke bërë që vendimet për rrënim, ato për ndërprerje të punimeve, inicimi i procedurave për kundërvajtje dhe shqiptimi i gjobave të ndikoj në rritjen e këtyre të hyrave gjatë vitit 2016.
Përkushtimi i stafit të Drejtorisë është në nivelin më të lartë të mundshëm dhe gjithçka po punohet në baza profesionale dhe sipas planifikimit vjetor, tha ai. /2L ONLINE/