Arrestimi i tre të dyshuarve për terrorizëm në rrethin e Kacanikut dje, ka rikthyer në mediat botërore lajmet këqija që vijnë nga Kosova dhe për shqiptarët e Kosovës në këtë fillim të verës dhe në valën e vapës tropikale të ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Futbollit në Brazil.
Rrjeti televiziv amerikan ABC citonte agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press nga burime të policisë së Kosovës dhe thoshte se tre të ndaluarit shqiptarë etnik dyshohen për rekrutim dhe formim të një grupi terrorist. Sipas lajmit, gjatë bastisjes tek ata ishin gjetur uniforma ushtarake dhe materiale propagandistike ndërsa dyshoheshin për komplot për të kryer sulme sipas frymëzimeve nga mësimet radikale islamike, transmeton RTK.
Lidhjet e të dyshuarve, që citojnë burime kosovare të zbulimit, çonin tek radikalët në Siri, ku të paktën njëri prej tyre thuhet se kishte luftuar përkrah kryengritësve sunit atje.
Operacioni i policisë së Kosovës kundër tre të dyshuarve ishte koduar me emrin ”Hit”, ndërsa duke cituar burime të medias në Kosovë, theksonte se të dyshuarit ishin pjesë e një grupi prej 150 shqiptarësh nga Kosova të luftës civile siriane kundër forcave të presidentit Bashar al-Assad.
Duke dhënë një pasqyrë kulturore të Kosovës, ABC thoshte më tej se më shumë se 90 për qind e popullsisë etnike shqiptare janë të përkatësisë myslimane që praktikojnë një Islam të moderuar dhe kanë lidhje të forta politike e kulturore me botën perëndimore.
http://www.rtklive.com/new/index.php?cid=1&newsId=105159&mfJ~*0D313pmT@1Je=x#T1s0dJ5_-mw7k_&iFJ9nGd88dBG8A7U1m3mxi^mmwe&&8d3m^Sx7f30k6356!2@5CHf-Hl107o3*3rEw3i