/2L ONLINE/ – Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) përmes një kumtese ka shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë e tij të ligjshme mbi vendimin e njëanshëm të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për anulimin e Konkursit Publik për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm në Teatrin e Gjilanit.
Në këtë kumtesë thuhet se Bordi Ekzekutiv i SHATK-së vlerëson se ky vendim është një veprim i papërgjegjshëm dhe skandaloz, i cili, si i tillë, është rezultat i ndërhyrjes së vazhdueshme flagrante politike në punën dhe veprimtarinë e Teatrit të Gjilanit.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së fton anëtarët e Asamblesë Komunale të Gjilanit, përkatësisht të Kuvendit të Komunës, që ta shqyrtojnë me urgjencë gjendjen e krijuar pas zhvillimeve të fundit në Teatrin e Gjilanit dhe që, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e tyre, të ndikojnë që t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë ndërhyrjes së politikës në këtë teatër dhe përgjithësisht në institucionet artistike e kulturore.
Për më tepër ja kumtesa e plotë e SHATK-së:
Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës
Kumtesë nr. 16
(Përkitazi me vendimin për anulimin e Konkursit Publik për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm në Teatrin e Gjilanit)
Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) shpreh shqetësimin e thellë dhe pakënaqësinë e tij të ligjshme mbi vendimin e njëanshëm të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për anulimin e Konkursit Publik për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm në Teatrin e Gjilanit. Në vend se ta respektojë rezultatin e vlerësimit të kandidatëve të intervistuar nga Këshilli Drejtues i këtij teatri dhe, në këtë kontekst, t’i mbështesë artistët në përpjekjet e tyre për funksionalizimin dhe konsolidimin e këtij institucioni të rëndësishëm artistik e kulturor, i pari i kësaj komune, me vendimin e tij arbitrar, është përcaktuar për vazhdimin e ecurisë për rrënimin e mëtutjeshëm të Teatrit të Gjilanit.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së vlerëson se ky vendim është një veprim i papërgjegjshëm dhe skandaloz, i cili, si i tillë, është rezultat i ndërhyrjes së vazhdueshme flagrante politike në punën dhe veprimtarinë e Teatrit të Gjilanit. Ngjashëm me teatrot e tjera të qyteteve, të cilat, për shkak të Ligjit për Teatrot, janë lënë nën mëshirën dhe injorancën e politikanëve të paemancipuar komunalë, edhe ky teatër, që prej disa vitesh, është viktimizuar deri në rrënim të plotë nga politikat e mbrapshta dhe antikulturore të Komunës së Gjilanit. Në vend se me kapacitetet e saj buxhetore ta mbështesë dhe ta ndihmojë komunitetin artistik, Komuna e Gjilanit, me qasjen, veprimet dhe vendimet e saj destruktive, e ka paralizuar pothuaj krejtësisht veprimtarinë krijuese dhe artistike të këtij institucioni.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së fton Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, që të reflektojë mbi pasojat e vendimit të tij të ngutshëm, që ta tërheqë mbrapsht këtë vendim dhe që, në funksion të krijimit të kushteve dhe të rrethanave normale menaxhuese, krijuese dhe artistike, t’i pranojë rezultatet e intervistimit të kandidatëve konkurues nga Këshilli Drejtues, si dhe përzgjedhjen e kandidatit të vlerësuar me më shumë pikë si Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit të Gjilanit. Mungesa e reflektimit kritik mbi pasojat e vendimit të tij të njëanshëm dhe shpërfillja e mëtutjeshme e rezultateve të këtij konkursi do ta thellojë krizën dhe procesin rrënues të këtij teatri, i cili, që prej disa vitesh, po e përjeton deri në skajshmëri tagrin e ndikimit dhe të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë politike.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së fton anëtarët e Asamblesë Komunale të Gjilanit, përkatësisht të Kuvendit të Komunës, që ta shqyrtojnë me urgjencë gjendjen e krijuar pas zhvillimeve të fundit në Teatrin e Gjilanit dhe që, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e tyre, të ndikojnë që t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë ndërhyrjes së politikës në këtë teatër dhe përgjithësisht në institucionet artistike e kulturore. Mungesa e kontrollit mbi veprimet dhe vendimet e mbrapshta të Kryetarit të Komunës, apo heshtja përballë politikave të këtilla antikulturore, nuk ju amniston, por, përkundrazi, ju bën bashkëpërgjegjës dhe bashkëpjesëmarrës në krimin kundër Teatrit të Gjilanit.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së
Prishtinë, 03.09.2016
Përndryshe, ditë më parë është anuluar konkursi për drejtor të Teatrit të Gjilanit.
shih: Anulohet konkursi për drejtor të Teatrit të Gjilanit