Lëndimi që pësoi Xherdan Shaqiri në ndeshjen e 11 tetorit kundër Shqipërisë nuk do të mbetet pa pasoja, transmeton gazeta Tribuna. Lojtari më i mirë i ndeshjes së përmendur dhe golashënuesi i parë, nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen e radhës, atë që Zvicra e luan të martën, më 15 tetor kundër Sllovenisë. Kjo do të jetë ndeshja e fundit në garën për kualifikim për Kampionatin Botëror Brazili 2014.
Megjithëse Zvicra tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në Brazil, një fitore kundër Sllovenisë do të kishte peshën e saj në përcaktimin e grupit në të cilin do të luajë kombëtarja helvetike në botërorin 2014.
Lëndimi i muskulit në kofshën e djathtë do ta lërë xhuxhin magjik të Bajernit rreth dy javë jashtë fushës. AI është ndarë nga bashkëlojtarët të cilët vazhdojnë ushtrimet në vendgrumbullimin e përfaqësueses, në Feusissberg. Trajneri i kombëtares së Zvicrës, Othmar Hitzfeld do të duhet të kërkojë një zëvendësim për mesfushorin shqiptaro-zviceran. Por, aktualisht ende nuk dihet se kush mund të jetë zëvendësuesi.