/2L ONLINE/ – Shkrimtari Shaip Beqiri është shpalluar sot fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”, të cilin e ndan kryetari i Komunës, Lutfi Haziri për arritje të veçanta në letërsi. Fituesi është përzgjedhur nga juria e konkursit letrar ‘Beqir Musliu’, në përbërje Nexhat Rexha, Albina Idrizi, Hasan Bunjaku, Ramadan Mehmeti e Sadete Tërnava Osmani.
Kryetari Haziri, pasi mori komunikimin e jurisë profesionale, ku prezent ishte edhe kryetari i “Ars Clubit “Beqir Musliu, Sabit Rrustemi, ka uruar shkrimtarin Shaip Beqiri, për të cilin tha se ka dhënë kontribut të madh në lëminë e letërsisë, derisa ka qenë miku më i ngushtë i shkrimtarit të famshëm gjilanas, Beqir Musliu.
“Madhështia e Beqir Musliut nuk është vetëm në libra, por madhështia e tij qëndron edhe në dashurinë dhe përkushtimin që pati gjithmonë për Gjilanin, për Kosovën dhe për kombin e tij. Por, pa dyshim Beqiri është përshkruesi më i mirë i Gjilanit në veprat e tij, përshkrim ky që shkon deri në perfeksion”, ka qenë vlerësimi i kreut të Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ideator i çmimit letrar “Beqir Musliu” është Ars Clubi “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe ndahet për here të dhjetë nga Komuna e Gjilanit.
Përndryshe, shkrimtari Shaip Beqiri jeton dhe vepron në Zvicër, derisa ka qenë redaktor shumëvjeçar i kulturës në disa media të Kosovës. /2L ONLINE/