(2LONLINE) – “Ecohigjiena përballë qytetarëve”, ka qenë temë e debatit që ka organizuar Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”- Gjilan, përmes të cilës është synuar të shoh dhe debatojë të arriturat, sfidat, projektet e kësaj kompanie e cila ka hyrë e para në Partneritetin Publiko Privat.
Nga të pranishmit u tha se janë të kënaqur me punën e kësaj kompanie, por u pranua po ashtu se e ka probleme me pagesën e faturave e cila është edhe sfidë që reflekton në punën e mëtutjeshme të kësaj Kompanie në ofrimin e shërbimeve edhe më të mira.
Senad Ramaj anëtar i Bordit i Ecohigjiena ka rikujtuar ardhjen me kompaninë “Mosser Group”, më 2009 kur kanë bërë prezantimin e grumbullimit të mbeturinave për të kaluar me fazat tjera. “Ne i kemi shoshit të gjitha variantet dhe pas një pilot projekti ku është përzgjedh lagjja Dardania bashkë me komunën investuam në kontejnerë dhe kamion dhe pas gjashtë muajsh u pa se mundet të bashkëpunohet me komunë”, ka thënë Ramaj..
Ai bëri të ditur se kanë marrëveshje me komunën për këtë partneritet në afat prej 15 vjet plus.
Sipas tij, që një vit e gjysmë që operojmë në disa komuna të këtij rajoni dhe shihen rezultate pozitive nga puna e kryer. Kjo sipas Ramaj u bë edhe fal angazhimit të madh të punëtorëve. Ai tha se janë përpjekur të përmirësojmë kushtet e punës së punëtorëve, kanë bërë ndryshime në aspektin e menaxhimit për të qenë në gjendje të menaxhojnë me kompaninë sipas standardëve bashkëkohore.
“Kur erdhëm gjetëm pajisje që nuk janë në hap me kohën, nuk ishte lehtë por arritëm rezultate dhe kjo e arritur është e arritur edhe e komunës”, ka thënë Ramaj.
Por, ai tha se po ballafaqohen edhe me sfida të ndryshme e veçmas rreth punës së inkasimit të borxheve e cila është brengë e Kompanisë. Ai tha se po përpiqen në mënyrë maksimale për të pas inkasim më të madh por se ka probleme në këtë drejtim.
Ne kemi pranuar punëtorë të rinj në kompani dhe jemi të interesuar të shtojmë numrin e punëtorëve por se edhe inkasimi duhet të jetë në nivel për të bërë për qytetin atë që është më e mira, ka thënë Ramaj.
Bajram Isufi , kryeshef ekzekutivi i Ecohigjiena ka thënë se Kompania numëron 141 punëtorë, të ndarë në dy sektorë, në administratë e financa dhe të operativës, por është edhe grupi i inkasantëve.
Përveç grumbullimit të mbeturinave ai tha se e kanë për obligim edhe mirëmbajtën e rrugëve, sipërfaqja publike, varrezat, tregun e gjelbërie
Isufi tha se tani janë në situatë kur gjendja në kompani është më e mirë se më herët, janë në objekt të ri me kushtet më të mirë, ku kushtet për punë janë më të mirë. Ai po ashtu tha se nga investitori Moserr Grup janë bërë investime mbi 500 mijë euro dhe ka pas edhe trajnime të stafit duke përfshirë edhe ato në Gjermani.
Isufi ka thënë se puna e Kompanisë është vlerësuar lartë duke qenë edhe në nivel të Kosovës e vlerësuar , duke përfshirë këtu edhe nga USAID. Edhe ai tha se për shërbime edhe më të mira dhe për një qytet më të pastër e rëndësishme është inkasimi dhe në këtë drejtim duhet ndihma e të gjithëve, e institucioneve por edhe e vet qytetarëve.
Sherif Bllaca, qytetar nga lagjja e tetë – tha se është i kënaqur me grumbullimi ne mbeturinave por mungojnë kontejnerët e mëdha. Ai ka kërkuar tek shkolla në lagjen të vendosen kontejnerë të vegjël por edhe mbishkrime nëpër rrugë që duhet ruajtur ambienti.
Hasan Sadrija, rruga e Ferizajt – tha se ky debat mbi këtë temë është në dobi të dyanshme. Ai tha se në pjesën ku banojnë pastërtia mbahet në nivel , pavarësisht kushteve atmosferike punëtorët e kompanisë dalin i grumbullojnë mbeturinat. Ai tha se edhe në këtë lagje ka nevojë për kontejnerë ndërsa ka porositur të gjithë që të paguajnë faturat sepse nga kjo varet edhe puna e Kompanisë.
Muharrem Bajrami nga Dardania – ka thënë se do të angazhohet në lagjen e tij që pagesa e faturave të bëhet që shërbimet t’i marrim më të mira, derisa Asllan Gërbavci tha se edhe në lagjen e tij bëhet me kohë grumbullimi mbeturinave për çka i ka falënderuar ata punëtorë. Edhe ai ka thënë se është shumë i rëndësishëm pagesa e faturave dhe do të ishte mirë të vetëdijesohen të gjithë.
Demir Behluli rruga Mulla Idriz Gjilani – ka vlerësuar kompaninë por ka qenë kritik nga qytetarët e pandërgjegjshëm për hedhjen e mbeturinave kudo , sidomos në lumin Mirusha duke krijuar deponi të egra mbeturinash, për çka ka kërkuar që përgjegjësit përkatës të marrin masa dhe të shqiptojnë dënime për ta.
Fadil Gashi – Bojanina – ka thënë se në banesat kolektive, kur vijnë gurbetçarëve , shtohet nevoja për më tepër kontejnerë apo grumbullim më të shpeshtë të mbeturinave por edhe hedhjen e mbeturinave në kontejnerë të kësaj lagje prej lagjeve tjera. Edhe ai ka apeluar tek qytetarët ti paguajnë faturat . Gashi tha se duhet bashkëpunim me shkolla për të rritur vetëdijesimin.
Shaban Terziu, – është interesuar për planifikime të kompanisë për çështjen e riciklimit dhe për planet rreth vetëdijesimit derisa Jonuz Hasani nga lagjja Velekincë tha se ka nevojë për kontejnerë .
Senad Ramaj përfaqësues i Bordit të kompanisë Ecohigjiena, duke iu përgjigjur interesimit të të pranishmëve, tha se po bëhen përpjekje për të gjetur një zgjidhje tjetër aty ku kamionët që janë të mëdhenj nuk mund të futen në ato rrugë të ngushtë . pastaj vazhdim i shpërndarjes së kontejnerëve nëpër lagje. Qëllim është ngritja e efikasitetit të shërbimeve, me kosto më të ultë. Pastaj kooperimi dhe bashkëpunimi me institucione siç janë shkollat për vetëdijesim të gjeneratave të reja. Është në plan edhe çështja e riciklimit e projekte të tjera.
Burim Kastrati – drejtor financiar ka thënë se në total në gjithë hapësirën ku operojnë, përqindja e inkasimit është 62 për qind. Ai ka lavdëruar lagjet Dardania dhe Dheu i Bardhë qe janë lagje më të mira ku inkasimi është i mirë, derisa në të tjerat lagje inkasimi është nën 50 për qind dhe kjo përbën vështirësi.
Enver Biqkaj, ushtrues detyre i drejtorit në Drejtorinë e Shërbimeve Publike ka vlerësuar kompaninë me të cilën tha se drejtoria ka bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë. Ai tha se ka vend për përmirësim por u tha se po punohet. Ai pranoi se Kompania ka vërejtje në institucione kur është në pyetje pagesa e borxheve por tha se pret që tani kjo të përmirësohet dhe pagesa e faturave nga institucionet të bëhet me rregull. /2lonline/