Vazhdon fluksi i refugjatëve që vijnë përmes Maqedonisë nga vendet e prekura të luftës, të cilët ndalesën e parë në Serbi e kanë në komunën e Preshevës, andaj ditët e ftohta do të jenë një sfidë për refugjatët dhe organizatat e ndryshme humanitare, institucionale, shëndetësore dhe qeverisjen lokale.
Kryqi i Kuq në Preshevë po bënë përgatitjet për sezonin e dimrit dhe përfaqësuesit shprehen të gatshëm për t’i dal në ndihmë me gjësendet e nevojshme pavarësisht numrit që do të vijnë.
“Kuptohet tani veç do të hyjmë në sezonin e dimrit, ku kushtet klimatike do të ndryshojnë dhe refugjatët kanë nevojë për shumëçka, duke filluar me sigurimin e veshmbathjeve për ta, sigurimin e ushqimit, paketa higjienike, me të cilat përditë duhet t’i kenë në disponim refugjatët dhe do të ju ndihmojmë pa marrë parasysh numrit të tyre”, thotë për Titulli.com Amet Alimi, sekretari i Kryqit të Kuq në Preshevë.
Ai shprehet se refugjatët kanë një rrugëtim të vështirë deri këtu dhe se organizata në fajlë është përkujdesur në masë të madhe refugjatët me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saja.
“Edhe pse është zvogëluar pak numri i refugjatëve, ne prapëseprapë po u dalim në ndihmë me gjëra ushqimore dhe higjienike të cilat janë të përditshme. Ne si Kryq i Kuq nuk do të pranojmë ushqimin pa e kontrolluar kualitetin dhe cilësinë, sepse mund të vij deri tek ndonjë helmim apo ndonjë sëmundje të padëshirueshme për refugjatët”, deklaroi për Titulli.com Alimi.
Sipas tij Kryqi i Kuq ka kujdes të veçantë lidhur me ushqimin dhe janë ndarë paketa për gra dhe fëmijë.
“Kryqi i kuq deri tani ka ofruar ndihmë me gjëra ushqimore dhe me veshmbathje mbi 200.000 refugjatëve dhe prapë do të vazhdojmë t’u ndihmojmë konform kapaciteteve tona si. Ndihmat i sigurojmë nëpërmjet Kryqit të Kuq të Serbisë, UNHCR-së, Caritas-it dhe partnerëve tjerë”, theksoi Amet Alimi.
Brenda Kryqit të Kuq në Preshevë janë angazhuar mbi njëzetë punëtorë me kontratë që punbojnë brenda zyrës dhe nëpër terren.
“Ne kemi anashkaluar të marrim ekipin me persona vullnetar, por e gjithë ekipa që punon në Kryq të Kuq është krejt profesionale, sepse situata është e tillë që kërkon shumë kujdes të veçantë, për rreziqet e mundshme të cilat mund të paraqiten tek refugjatët “.
Lidhur me gjendjen momentale të refugjatëve të regjistruar në ditët e fundit të cilët kanë marrë ndihmat thuhet se është më i vogël se më parë.
“Gjendja momentale e refugjatëve është e mirë. Në njëzetë e katër orët e fundit 350 deri në 400 sosh kanë marrë ndihma me ushqim. Apeloj tek qytetarët, bamirësit dhe donatorët e mundshëm që ndihmat me veshmbathje, batanije e të tjera që duan t’u ndihmojnë refugjatëve përmes Kryqit të Kuq të jenë të papërdorura, në të kundërtën nuk do t’i pranojmë”, deklaroi Amet Alimi, sekretar i Kryqit të Kuq në Preshevë.