Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu ka thënë se në nivel vendi është raportuar për njëmbëdhjetë persona të lënduar nga plumbat qorr.
“Përgjithësisht mund të themi se ka pasur një situatë të qetë, janë raportuar disa incidente, ku persona të ndryshëm janë lënduar nga plumbat qorr apo mjete piroteknike, sipas informacioneve që janë raportuar, janë gjithsejtë 11 persona të lënduar nga plumbat qorr”, tha ai për Radio Kosova.
Natë e rëndë është shënuar edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Dr. Avdush Bajgora tha për radio Kosova se gjatë ndërrimit të moteve kanë kërkuar ndihmë 15 persona të lënduar nga mjetet piroteknike dhe 6 persona nga plumbat qorr, dy prej tyre ende janë në mjekim intensiv.
“Kanë qenë dy pacient në kokë të plagosur prej plumbave qorr dhe gjendja e tyre jashtëzakonisht e rëndë, tre në kraharor dhe një në këmbë. Tre pacientat të plagosur në kraharor janë të hospitalizuar në kirurgjinë Torakale, një në Ortopedi ndërsa dy me lëndime në kokë me armë zjarri, njëri prej tyre është në mjekim intensiv ndërsa tjetri në reanimim, gjendja është e rëndë jem në observim”, theksoi ai.