Policia e Kosovës përmes një komunikate për media lajmëron se në pikë – kalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, janë krijuar sërish kolona.
Edhe pse Policia e Kosovës thotë se ka shtuar personelin për t’iu shmangur pritjeve të gjata, ato po ndodhin sidomos në pikë-kalimin kufitar Merdare, ku kolonat kanë mbërri deri në një kilometër ndërsa pritjet po zgjasin 3 deri në 4 orë.
“Informacionet e orës 10:00 tregojnë se në Merdare (Podujevë) në hyrje për në RKS nuk ka pritje vetëm kohëzgjatja e procedurës normale, ndërsa në dalje kolona është e gjatë rreth (1-KM) dhe pritjet zgjasin rreth (3 deri 4 orë), varësisht prej frekuentimit të automjeteve”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Por ndryshe është gjendja në pikë-kalimin kufitar tek Dheu i Bardhë (Gjilan). Policia njofton se deri në këtë kohë si në hyrje ashtu edhe në dalje nuk ka kolona fare përveç kohëzgjatjes së procedurës normale (10-20 minuta).
Kurse në pikë-kalimin kufitar Mutivodë (drejtimi i fshatit Keçekollë) në hyrje nuk ka pritje të gjata ndërsa në dalje nga RKS-ja pritjet janë afërsisht ( 20-30 minuta). Pikë-kalimi kufitar Muqibabë –(Gjilan) si në hyrje po ashtu edhe në dalje nuk ka pritje fare.
Policia e Kosovës me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata, njofton të gjithë qytetaret se, ata që mund të shfrytëzojnë pikë-kalime tjera kufitare ku nuk ka pritje fare, apo ka më pak pritje, ti shfrytëzojnë ato pasi nuk ka kolona dhe pritje të gjata.
Policia potencon se nga ana e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës, puna është duke u zhvilluar normalisht me kapacitete dhe intensitet të shtuar, mirëpo kolona-pritjet janë duke u shkaktuar si rezultat i fluksit të madh të automjeteve, kryesisht në dalje të RKS-se, si dhe procedurave që aplikohen gjatë plotësimit të dokumenteve-formularëve për kalim kufitar.