(2L ONLINE) – Duket se është një periudhë kohore kur autoritetet përkatëse e kanë marrë me seriozitetin më të madh luftën kundër organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Kohëve të fundit, në Rajonin e Gjilanit, ka pas kontrolle të shpeshta të organizmave përkatëse, në bastore e kazino, shumë prej të cilëve edhe i kanë mbyllur.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë se njësiti i Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsion-Gjilan, në vazhdimin e parandalimit të veprimtarisë së lokaleve të paligjshme të lojërave të fatit në bashkëpunim me agjencionet e tjera të zbatimit të ligjit: ATK-në në Gjilan dhe Inspektorët Komunal, ka zhvilluar një operacion për kontrollimin e lokaleve të lojërave të fatit të cilat operojnë në Komunën e Gjilanit dhe në fshatrat për rreth në kundërshtim me Ligjin mbi lojërat e fatit.
“Gjatë këtij Operacioni janë kontrolluar katër subjekte të Lojërave të Fatit (Bastore Sportive), të cilat nga Inspeksioni Komunal janë mbyllur. Arsyeja e mbylljes ka qenë se ata nuk kanë poseduar dokumentacion valid për zhvillimin e veprimtarisë se tyre. Nga ATK-ja janë shqiptuar tri gjoba në vlerë të përgjithshme 3×1000 €, për tri subjektet e bastoreve sportive”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, nga Dogana e Kosovës janë Konfiskuar 6 Aparate të lojërave të Fatit.
“Policia e Kosovës njësiti anti-korrupsion nga shtabi qendror që vepron në Gjilan ka konfiskuar një shtëpizë kompjuterike ku dyshohet se është e instaluar loja e ashtuquajtur “DOG Bet”2 (e ndaluar në bazë të Ligjit të Lojërave të Fatit),në lidhje me të cilin do të iniciohet rast”, ka thënë tutje zëdhënësi Hashani.
Në lidhje me këtë operacion ka qenë e njoftuar Prokuroria Themelore-Gjilan, të cilit do t’i dorëzohen hetimet e kompletuara. /2L ONLINE/