Edhe ndeshjen e dytë të stinorit pranveror skuadra gjilanase, SC Gjilani e ka përmbyllur me barazim. Në ballafaqim me Malishevën, kuq e bardhët kanë arkëtuar vetëm një pikë, pas barazimit me rezultat 2:2.
Skuadra e Malishevës ishte dy herë në epërsi, por në të dyja rastet gjilanasit arritën të barazonin dhe të riktheheshin në lojë për fitore. Megjithëkëtë, ndarja e pikëve ishte epilogu i kësaj ndeshjeje.
Për Gjilanin realizuan Albert Dabiqaj (30’) nga penalltia dhe Mevlan Zeka (80’) e për mysafirët Ronald Sobowale (18’) dhe Bleart Tolaj (64’).
Ishte kjo ndeshje e javës së 20- të e Superligës së Kosovës në futboll, ku SC Gjilani mori vetëm një pikë, për të grumbulluar gjithsej 29 sosh dhe mbajtur akoma pozitën e tretë në tabelën e klasifikimit.
Sot është zhvilluar edhe ndeshja Ballkani – Drenica, që përfundoi me fitoren e vendësve 2:1.
Përndryshe, skuadrat gjilanase që bëjnë gara në Superligë, në javën e 21-të, kanë për kundërshtarë ekipet që do të luajnë në terrenet e tyre.
Drita udhëton për t’u ballafaquar me Prishtinën, e Gjilani për t’i matur forcat me skuadrën e Drenicës. /2LONLINE/