Qytetarët e Kosovës të cilët nga dita e sotme kalojnë kufirin me veturat e tyre që bartin targa RKS do të paguajnë më pak, derisa targat e përkohshme të Serbisë “Proba” do të vlejnë për dy muaj.
Nga dita e hënë të gjitha veturat me targa RKS që hyjnë në territorin e Serbisë, e që ato duhet t’i zëvendësojnë me targat “Proba” të këtij vendi, do të paguajnë 360 dinarë (3 euro).
Portali informativ Titulli.com nga burimet anonime ka mësuar se me këtë pagesë (3 euro) targat “Proba” do të vlejnë 60 ditë, për dallim nga pagesa e deritanishme prej 547 dinarëve (4.5 euro) dhe taksat tjera shtesë, që vlenin me një afat vetëm prej 24 orë (një ditë).
Përveç kësaj i është zgjatur afati edhe dokumentit i cili lëshohet me rastin e hyrjet së qytetarëve të Kosovës në Serbi. Ky dokument identifikues për qëndrim në Serbi, tani do të vlejë 60 ditë, për dallim afatit 15 ditorë që kishte deri ditën e djeshme.
Sipas informacioneve që Titulli.com ka arritur tí sigurojë në pikëkalimin Dheu i Bardhë-Konçul, dokumenti në fjalë me rastin e kthimit në Kosovë nuk do të dorëzohet në pikën kontrolluese të palës serbe, mirëpo ate do ta mbajnë kosovarët deri në afatin e skadimit, ndërsa brenda kohës që është valide mund ta shfrytëzojnë sërish për të hyrë në Serbi.
Këto ndryshime edhe pse jo në përputhje me marrëveshjen për Lëvizje të Lirë të arritur mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, pritet të lehtësojnë qarkullimin dhe vonesat në pikat kontrolluese.
Duhet theksuar se Prishtina ka kërkuar heqjen e targave “Proba”të cilat po i aplikon Serbia, ndërsa një diskutim rreth kësaj teme në Bruksel me palën serbe, më 28 dhe 29 shtator, ka paralajmëruar ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.
Nëse nuk arrihet marrëveshje, Tahiri ka thënë se edhe Kosova do të aplikojë të njëjtën masë për veturat me targa të Serbisë.