Gjilan – (2LONLINE) – Lëvizja Vatra nga Gjilani përmes sektorit të saj për informim ka reaguar lidhur me rastin e konfiskimit të librave në shkollën e Preshevës.
Ja reagimi i vatrës në tërësi:
“Se pushteti serb nuk e ka ndërruar fytyrën e vete asnjëherë kur janë në pyetje shqiptarët, e tregoi edhe me rastin e sulmit mbi shkollën shqipe, mbi shkronjat shqipe, mbi nxënësit, që sapo e kanë filluar shkollën, mbi fëmijët shqiptarë që aq me gëzim e kanë pritur zërin e mësueses së tyre të parë duke ua mësuar shkronjën e parë të alfabetit shqiptar. Ashtu siç është i burgosur tërë populli shqiptar i Preshevës, Bujanocit e Mdvegjës, ashtu u burgos edhe abetarja shqipe në shek. XXI, në kohën, kur me çdo kusht, Serbia po kërkon që të shkojë në Evropë.
Hyrja e policëve dhe inspektorëve serbë në shkollën shqipe të shkollës fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Raincë të Preshevës, na kthen prapa, shumë prapa, në shekujt e mesjetës e para saj, kur gjuha shqipe e shkolla shqipe ndalohej nga pushtuesit Otoman e kralëve serbë. Të kthen edhe në kohën e pushtueseve komunist serb, ku ndalohej libri i Migjenit, Naim Frashërit, Ismail Kadaresë etj. Të kujton edhe nazizmin gjerman të Luftës së Dytë Botërore, kur në shkollën e Kragujevcit masakrojnë nxënësit serbë. Vetëm se këtu ka një dallim të vogël! Nazistët gjerman, nuk kanë hyrë pa u përfunduar ora mësimore, por kanë pritë të mbarojë mësimi e pastaj kanë ndërhyrë, ndërsa sot, në Raincë, policët e inspektorët serbë kanë tmerruar nxënësit e mësuesit me ndërhyrjen e tyre gjatë mësimit.
U tmerruan fëmijët e pafajshëm, engjëjt e vegjël nga uniforma e policëve serb, nga egërsia e tyre, nga shfrenimi antishqiptar. Këto pamje jo vetëm të mëdhenjtë, por edha atë fëmijë 6/7 vjeçar kurrë nuk do t’i harrojnë.
Presedan i paparë në Evropë!?
Të burgoset libri sot, a ka inkuizicion më të madh?
Evropë, Shqipëri, Kosovë, të ngritët kjo çështje në çdo instancë ndërkombëtare, të dënohet ky akt barbar, jocivilizues, të dënohet pushteti serb, vazhdues i Millosheviqit, në mes të Evropës. Si mund të ndodhë një diçka e tillë, para syve të Evropës e botës së civilizuar.
Edhe pse e dinë të gjithë, po të kujtojmë se, serbët në Kosovë jo vetëm që mësojnë ciriliken në shkollat fillore po i gjithë planprogrami, që nga shkolla fillore e deri në doktoratura e akademi, mësohet me planprogramet serbe. Si shpjegohet kjo dhe a ka ndonjë shpjegim. Turp Evropë, turp Bashkësi Ndërkombëtare.
Apelojmë që të kthehen librat në shkollë sa më parë, apelojmë që të lejojnë të mësohen shkronjat shqipe në shkollat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, se kështu jo që do të qetësohet populli shqiptar, po edhe gjeneratat e reja serbe evropiane, nesër, do të turpërohen, kur të mësojnë për veprime të tilla anticivilizuese e antihumane të baballarëve të tyre.
Me këto veprime, nuk do të mund askush kurrë ta ndalojë gjuhën shqipe, ta ndalojë alfabetin shqip, ta ndalojë mësimin shqip në Kosovën Lindore” thuhet në fund të këtij reagimi. /2lonline/