Në një intervistë ekskluzive për portalin informativ Titulli.com flet Belgim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, me seli në Preshevë, njohës i rrethanave politike në rajon dhe gazetar me përvojë.
Ai thotë se integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore të Serbisë ka dështuar dhe përgjegjës kryesor është qeveria, që nuk ka shprehur vullnet për integrimin e shqiptarëve. Kamberi thotë se për shkak të mosveprimit të vetë shqiptarëve, dhe sensibilizimit jo të mjaftueshëm për shkeljen e të drejtave të tyre, Serbia po avancon drejtë Bashkimit Evropian (BE) pa plotësuar të drejtat e shqiptarëve.
Titulli: Inkuadrimi i shqiptarëve në organet shtetërore të Serbisë është gjithnjë temë aktuale. Sa mendoni se është arritur në këtë drejtim?
Belgzim Kamberi: Integrimi, respektivisht përfaqësimi i shqiptarëve në sistemin shtetëror të Serbisë ka qenë edhe premtimi kyq pas luftës së armatosur së UÇPMB-së dhe forcave serbe të sigurisë. Rreth 15 vite më vonë kjo është pika kryesore ku ka dështuar plani dhe programi i qeverisë së Serbisë si rezultat i Marrëveshjes së Konçulit për përfundimin e luftës. Në këtë drejtim mund të thuhet se shqiptarët janë të nënpërfaqësuar në të gjithë institucionet që nuk janë në kompetenca të pushtetit lokal. Në momentin që flitet për institucione që janë drejtpërdrejt në kompetenca republikane, por edhe ato të nivelit rajonal, në Rrethin e Pçinjës apo të Jabllanicës, kur është në pyetje Medvegja, shqiptarët janë jashtëzakonisht shumë të nënpërfaqësuar. Në anën tjetër janë të nënpërfaqësuar edhe në institucionet që janë nën kompetenca të pushtetit lokal, edhe pse është përmirësuar situata. Në këtë drejtim nuk ka pasur asnjë lloj avancimi dhe adresa e përgjegjësisë është qeveria e Serbisë, e cila nuk ka treguar vullnet për t’i integruar shqiptarët, por përkundrazi ka vazhduar politikën e saj diskriminuese.
Titulli: Si kanë funksionuar subjektet politike shqiptare të Luginës lidhur me integrimin e shqiptarëve?
Belgzim Kamberi: Subjektet politike shqiptare, fatkeqësisht, pas vitit 2001, e kanë degraduar këtë temë edhe më shumë. Rritja e pushtetit simbolik në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, pas përfundimit të luftës ka krijuar më shumë mundësi pushteti për politikanët dhe më shumë hapësira për ata. Në këtë drejtim ka degraduar tërësisht organizimin e partive politike shqiptarë, të cilët sot jo vetëm që janë të përçara, por iu mungon cilësia, iu mungon veprimi politik, aktivizmi politik, që do të thotë që ata janë bashkëpërgegjëse për situatën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Këto parti politike sot nuk po kontribojnë pozitivisht, dhe nuk po përfaqësojnë interesat dhe vullnetin e atyre që i kanë votuar, por kryesisht janë të orientuara në realizimin e klientelave dhe interesave të tyre private…
Lexojeni intervistën e plotë në Titulli.com