Me qëllim të prezantimit dhe shpërndarjes së kësaj broshure edhe për serbet lokal, kryesuesi i KK-së, Izmi Zeka, në bashkëpunim me OSBE-në dhe Zyrën e Komuniteteve, kanë vizituar fshatin Shillovë, që është fshat i banuar me serb lokal.
Me këtë rast kryesuesi Zeka ka thënë para të pranishmëve se qëllimi i ardhjes në Shillovë është prezantimi dhe shpërndarja e kësaj broshure që ka nxjerrë KK-ja edhe në gjuhën serbe, dhe po ashtu për të treguar se ai, institucionet komunale, kryetari i komunës, janë të interesuara për të komunikuar drejtpërdrejt me ta dhe për t`i ndërtuar bashkë objektivat e të ardhmes.
“Duam të tregojmë edhe njëherë se për institucionet e Gjilanit të gjithë qytetarët janë të njëjtë dhe të barabartë”, ka thënë Zeka, për ta inkurajuar komunitetin serb në Shillovë, që të jetë pjesë aktive në vendimmarrje.
Ai më pas ka sqaruar të pranishmit me përmbajtjen e broshurës në të cilën janë të gjitha vendimet e KK-së të nxjerra për periudhën janar – qershor të këtij viti.
Zeka tha se është obligim i institucioneve të jenë sa më afër qytetarëve dhe ata ta dinë se çfarë pune janë duke bërë institucionet, çfarë vendime merren në KK sepse ato reflektojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe interesat e tyre.
Ai tha se kjo broshurë është në dy gjuhë shqip e serbisht, në të janë 45 vendime dhe 5 rregullore, se për këtë broshurë, e cila ia mundëson qytetarit ti ketë tani të gjitha vendimet e KK-së në një vend, është meritore edhe OSBE.
Ndërsa, përfaqësuesi i fshatit Shillovë Zhivojin Gjakliq tha se e ka mirëprit shpërndarjen e kësaj broshure për të pas mundësi edhe serbet ta njohin punën e KK-së. Ai tha se Shillova ka plotë të rinj që kanë aftësi dhe u nevojitet hapësirë për të dhënë edhe ata kontributin e tyre për një Kosovë demokratike.
Ndërsa, përfaqësues e të rinjve të këtij fshati thanë se pothuajse të gjithë kanë një brengë të përbashkët , ata të papunësisë, dhe se kanë kërkuar nga kryesuesi Zeka, mundësi për të ndihmuar në këtë drejtim, që papunësia të zbutet.
Lidhur me këtë, Zeka tha fatkeqësisht me problemin e papunësisë nuk përballet vetëm ky fshat por edhe rajoni e Kosova dhe se do të shikohen mundësitë që tu krijohen kushte edhe të rinjve të këtij fshati, për çka u premtojë atyre takime të sërishme ku do të diskutohen pikërisht gjërat konkrete , për probleme konkrete siç është edhe papunësia
Kryesuesi Zeka po ashtu ka vizituar edhe komunitetin rom në rrugën “Avdullah Presheva”, ku ka shpërndarë broshurën me 45 vendime si dhe 5 dhe rregullore, të miratuara nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, në gjashtëmujorin e parë të punës, për vitin 2010. /2lonline/