Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, është e kënaqshme dhe tregon unitetin e tyre, vlerësojnë politikanët serb të Kosovës dhe zyrtarë të qeverisë serbe. Kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se zgjedhjet kanë kaluar të qeta dhe sipas të dhënave të këtij subjekti, kanë votuar rreth 53 mijë serbë në gjithë Kosovës, prej të cilëve 15 mijë e 327 nga katër komunat e veriut të vendit.
Ai pret që serbët do të marrin më shumë se 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës, të cilat i kanë të garantuara.
Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, i uron serbët e Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhje, duke i lavdëruar për, siç thotë, “nivel të lartë të përgjegjësisë”.
Ndryshe, Jabllanoviq konsideron se tash e tutje, serbët nuk do të marrin asnjë vendim pa bashkëpunuar me Qeverinë e Serbisë. Ndërkaq, Gjuriq vlerëson se me pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, serbët kanë treguar se qëndrojnë me shtetin e Serbisë.
Ndryshe, serbët e katër komunave të veriut të Kosovës, për herë të parë kanë marrë pjesë në zgjedhje parlamentare të Kosovës.