Ekipi kombëtar i vajzave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka marrë përkrahje të madhe në luftën për barazi gjinore.
Senatori Joe Manchin të martën e prezantoi një projektligj në Senatin e SHBA-së që, nëse kalohet, do të bënte që qeveria federale të mos e financojë Kupën e Botës 2026 nëse Federata e Futbollit amerikane nuk pajtohet t’i paguajë vajzat dhe djemtë njëjtë.
Projektligji sugjeron që të mos jepen paratë që ishte planifikuar të përdoren për mbështetjen e organizimit të Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA.
Këtu përfshihen paratë e ndara për qytetet nikoqire, organizatat lokale dhe vendore pjesëmarrëse, Federatën e Futbollit të SHBA-së, CONCACAF-in (ekuivalente me UEFA-n, shtëpia e futbollit në Amerikën e Veriut, Qendrore dhe në regjionin e Karaibeve) dhe FIFA-n.
Manchin ia atribuoi këtë projektligj trajneres së Universitetit të West Virginias, Nikki Izzo-Brown, e cila ia kishte sjellë në vëmendje këtë problem dhe shpreson ta largojë diskriminimin e vajzave në botën e sportit.
SHBA-ja e fitoi titullin e katërt të Kupës së Botës në Lyon, duke e mbrojtur titullin e kampiones me fitoren 2:0 ndaj Holandës.