(2L ONLINE) – Selvete Shurdhani, e rizgjedhur edhe për një mandat në krye të Partisë së Drejtësisë (PD), dega në Gjilan ka premtuar se besimin e marrë nga delegatët e PD-së të Kuvendit Zgjedhor do ta përkthejë në punë e angazhim dhe se synim i saj është zhvillimi dhe shtrirja e PD-së në çdo pjesë të Anamoravës.
Shurdhani, që mori besimin për t’i prirë PD-së së Gjilanit edhe për një mandat, u zotua se do të angazhohet që programi i Partisë së Drejtësisë të implementohen dhe të jetësohet, ngase sipas saj, është program që qytetarëve gjilanas iu sjellë një jetë të dinjitetshme.
Ajo ka shpalosur edhe prioritetet me të cilat do të përballet në mandatin e besuar nga më shumë se 50 delegatë, duke premtuar zhvillim dhe shtrirje të PD-së në çdo pjesë të Anamoravës.
Përndryshe, Shurdhani që njëherësh është edhe pjesë e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ka marrë mbështetje edhe nga Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, i cili e përgëzoi Shurdhanin për pozitën dhe njëkohësisht i dha mbështetje në synimet e saja si kryetare e PD-së së Gjilanit.
Ai tha se PD-ja është e vetmja parti politike në vend, që në vete ngërthen vlera të mirëfillta kombëtare dhe fetare, vlera këto që sipas tij, janë të kultivuara ndër shekuj tek populli ynë. Ndërkohë që Shurdhani mori mbështetje edhe nga deputetja Labinotë Demi-Murtezi, e cila falënderoi të pranishmit për mbështetjen e fuqishme që po i japim PD-së në Gjilan, duke potencuar se edhe si deputete në Kuvendin e Kosovës, do të jetë çdo herë zëri i qytetarëve të kësaj ane. /2L ONLINE/