Shkruan: Fatbardha Selmani
Përveç rritjes së problemeve të shumta në komunën e Gjilanit, kjo qeverisje po lejon edhe maltretimin ndaj pacientëve në dializë, të cilët po transportohen çdo ditë, me një autoambulantë të QKMF-së, e cila është e destinuar për bartjen e pacientëve ne raste urgjente e jo për bartjen e pacientëve në dializë, ku dihet se autoambulanca nuk i ka kushtet për bartje të më shumë se një pacienti dhe stafit mjekësor.
Komuna e Gjilani më 13 qershor 2014 ka kontraktuar kompaninë për blerjen e një kombi, të destinuar posaçërisht për bartjen e pacientëve në dializë në vlerë prej 32 mijë euro dhe atë automjet e ka pranuar Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan. Mirëpo deri më tani edhe pse kanë kaluar pesë muaj, me këtë kombi asnjëherë nuk janë bartur pacientët në dializë. Sepse kombi i blerë për bartjen e pacientëve në dializë, po shfrytëzohet nga menaxhmenti i QKMF-së për shëtitje dhe endje poshtë e lartë për qefe të tyre, edhe pse e kanë edhe një automjet tjetër për shfrytëzim zyrtar të menaxhmentit të QKMF-së, pra po keqpërdoret automjeti i blerë për shërbim te pacientëve.
Ky keqpërdorim i buxhetit komunal për 32 mijë euro, duke ia ndërruar destinimin e shpenzimit që është bërë, për nevoja të tjera, tregon edhe në këtë rast se nuk kanë aspak konsiderat as ndaj pacientëve . Kjo çfarë po ndodhë në sektorin e shëndetësis në Gjilan kalon çdo kufi.
Keqmenaxhimi i sektorit të shëndetësisë, vjen edhe si pasojë e mungesës së një drejtori në drejtorinë për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, ku nga muaji Maj nuk ka drejtor, pra për gjashtë muaj kryetari i komunës nuk është në gjendje të emërojë një drejtorë në këtë sektorë të rëndësishëm për qytetarët e Gjilanit. Aktualisht, ky sektorë është në kaos sa i përket organizimit, përgjegjësisë dhe trajtimit të qytetarëve të cilët kanë nevojë për shërbimet e nivelit primarë./2L ONLINE/
/autorja është anëtare e KK Gjilan dhe anëtare e komitetit për shëndetësi/