(2L ONLINE) – Fatbardha Selmani, anëtare e KK Gjilan nga radhët e PDK-së njëherësh anëtare e Komitetit për Shëndetësi vlerëson se ishte i padrejtë vendimi i Kuvendit Komunal, për refuzimin e Komitetit Konsultativ për persona me Aftësi të Kufizuara.
Selmani thotë se Komuna e Gjilanit ka ndryshuar statutin e saj, bazuar në kompetencat, të drejtat dhe në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale por këto ndryshime që në thelb ishin për nevoja politike dhe aspak për interesin e qytetarëve të Gjilanit dhe se kjo u dëshmua në seancën e Kuvendit Komunal, në të cilën u miratuan ndryshimet e propozuara të statutit të komunës së Gjilanit.
“Propozimi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së, për të themeluar edhe Komitetin Konsultativ për persona me Aftësi të Kufizuara, u refuzua kategorisht nga subjekti i LDK-së dhe nga Kryesuesja e Kuvendit Komunal, e cila edhe pse e kishte obligim ligjor, që të hedh në votim këtë propozimi, ajo nuk e bëri as këtë veprim, e cila është e përcaktuar në rregulloren e punës së Kuvendit Komunal. Themelimi i Komitetit Konsultativ është e paraparë edhe sipas legjislacionit në fuqi, strategjisë dhe planit të veprimit për Persona me Aftësi të Kufizuara, në Republikën e Kosovës”, thotë Selmani.
Sipas saj, puna e këtij komiteti do të kishte për qëllim respektimin e parimeve jo diskriminuese, për të respektuar dinjitetin e lindur, autonominë individuale, duke përfshirë lirinë për të marr vet vendimet dhe pavarësinë e personave, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mirëqenies dhe pjesëmarrjen e plotë dhe efektive në shoqëri.
“Qeverisja e Lutfi Hazirit, shihet që vetëm gjatë fushatave elektorale, viziton dhe premton shoqatat e ndryshme për persona me aftësi të kufizuara, ndërsa kur bëhet fjalë për mbështetje së paku ligjore, nuk merr parasysh aspak këtë qështje edhe pse e ka obligim ligjor që të respektoj të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë sonë. E mos të flasim për mbështetje financiare, për të cilat këto shoqata kanë nevoja të jashtëzakonshme”, thotë Selmani.
Këshilltarja e KK-së nga radhët e PDK-së thotë tutje se Komuna e Gjilanit edhe me këtë rast ka treguar pa përgjegjësi serioze, sepse e ka obligim ligjor që të bëjë hartimin e politikave në nivel lokal për Personat me aftësi të Kufizuara, ndërsa me refuzimin e realizimit të kësaj të drejta për ta, komuna e Gjilanit ka shkelur dhe vepruar në kundërshtim me parimet bazë të Konventës Ndërkombëtare dhe bazuar në parimet themelore të të drejtave të njeriut e sidomos parimin e mbrojtjes dhe mos-diskriminimit.
Ajo kujton se Ministria e Pushtetit Lokal më 26 mars të këtij viti, iu ka drejtuar kryetarit të komunës së Gjilanit, me rekomandimin për të themeluar këtë komitetin konsultativ për persona me aftësi të kufizuara dhe për të përmbushur obligimet dhe përgjegjësit që dalin nga dokumentet qeveritare, por edhe këtë e ka injoruar skajmërisht kryetari Haziri.
Selmani mendon se Komiteti Konsultativ për persona me Aftësi të Kufizuara, do të fuqizonte rolin e saj në vendimmarrje, me qëllim të realizimit të të drejtave të tyre, përmirësimit të kushteve gjatë realizimit të planeve lokale veprimit dhe dokumenteve qeveritare sipas planit kombëtar të veprimit për persona me aftësi të kufizuara.
“Andaj, ky injorim i kësaj të drejte ligjore për përsona me aftësi të kufizuara dhe refuzimi i themelimit të këtij komiteti konusltativ, është shembulli më i mirë negativ, se si qeverisja komunale e drejtuar nga kryetari i komunës Lutfi Haziri, nuk ka vullnet minimal për të mbështetut personat që kanë nevojë maksimale për përkrahje institucionale. Por edhe më shqetësuese është se shumica e anëtarëve të Kuvendit Komunal, janë bërë instrument i politikës dhe ekzekutivit të komunës së Gjilanit”, thotë Fatbardha Selmani, anëtare e KK Gjilan nga radhët e PDK-së njëherësh anëtare e Komitetit për Shëndetësi. /2L ONLINE/